Sulmet e dyshuara ukrainase me dronë kanë shkaktuar zjarr në dy rafineri ruse të naftës në dy rajone në kufi me Ukrainën mëngjesin e së enjtes.

Këto sulme u kryen në një kohë kur Rusia po i vazhdon sulmet kundër caqeve civile në disa rajone ukrainase.

Një sulm me dronë në një rafineri nafte në Novoshakhtinsk, në rajonin Rostov të Rusisë, shkaktoi zjarr, duke e detyruar kompaninë ta ndalë punën, tha guvernatori rajonal Vasily Golubev.

Zjarri përfshiu një hapësirë prej 100 metrave katror, tha Golubev, duke shtuar se nuk ka të vdekur apo të plagosur, sipas të dhënave fillestare.

Kanali SHOT në Telegram, duke i cituar dëshmitarët, raportoi se disa shpërthime të zëshme u dëgjuan në Novoshakhtinsk në orët e hershme të së enjtes, pastaj u pa tym dhe zjarr në zonën e rafinerisë së naftës.

Ky ishte sulmi i tretë në rafinerinë e naftës në qytetin Novoshakhtinsk, i cili ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Edhe dy sulmet e kaluara në mars dhe në prill e detyruan kompaninë ta ndalë punën, sipas mediave ruse.

Ndërkohë, guvernatori rajonal i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, raportoi se një sulm me dronë në një depo të naftës në Stary Oskol, rreth 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën, u kaplua nga zjarri.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës, duke përdorur një dron kamikaz, e sulmoi një depo nafte në territorin e qarkut Stray Oskol. Si pasojë e shpërthimit, njëri nga rezervarët zuri flakë. Katër zjarrfikës e shuan zjarrin shpejt. Nuk ka viktima”, tha Gladkov.

Kievi nuk i ka komentuar këto raportime, të cilat nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Rusia e ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën civile dhe energjetike me dronë dhe raketa, prej se e nisi pushtimin më 2022, duke shkaktuar viktima të mëdha, në mesin e tyre civilë, si dhe dëme të mëdha materiale.

Kievi është përgjigjur me sulme me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, kryesisht rafinerisë së naftës, me qëllim për t’ia shkatërruar rezervat e karburantit ushtrisë ruse.

Ndërkohë, Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kundërajroret e tyre i rrëzuan 17 prej 18 dronëve me të cilët Rusia e sulmoi në rajonet Mikolaiv, Herson, Zaporizhja dhe Hmelnitki, më 6 qershor.

Serhiz Lzsak, guvernatori i rajonit jugor Dnipropetrovsk, tha se një dron rus e goditi një minibus udhëtarësh në qytetin Nikopol, duke i plagosur katër njerëz dhe duke shkaktuar zjarr./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: