Lidhur me reagimet ndaj lëvizjeve të sezonit të ri në News24, Bordi i këtij televizioni vëren se këto komente dhe kritika në formën e sulmeve burojnë nga logjika joprofesionale dhe nga interesa që nuk janë as të teleshikuesve dhe as të opinionit publik.
Edhe ky sezon i ri, ashtu sikurse sezonet e mëparshme në News24, nis me një riformatim profesional, në përputhje me strategjinë tonë si media në kontekstin dinamik në të cilin ndodhet media shqiptare në tërësi, ashtu si edhe çdo media botërore në raport me teknologjinë dhe tregun e audiencës. News24 gjatë gjithë këtyre viteve është dalluar për profesionalizëm, diversitet, transparencë, mungesë të çdo lloj censure apo ndërhyrjeje, perfshirje të gjithë ideve, kulturave dhe frymave të gazetarisë dhe jetës publike shqiptare, duke mbajtur dhe i dhënë hapësirë në median tonë profileve të shquara të jetës publike dhe të gazetarisë.
Të gjitha kontratat dhe bashkëpunimet ndërmjet gazetarëve me logot e tyre individuale dhe News 24 si logo institucionale, shprehin interesin e ndërsjelltë të të dy palëve. Këto lëvizje të dyanshme kanë vetëm një qëllim: ngritjen e audiencës dhe përfaqësimin e interesit publik dhe teleshikuesve, që mbetet qëllim i përhershëm i News24, duke synuar forcimin e mëtejshëm të këtij televizioni në terma të profesionalizmit, ritmit dhe maksimalizimit të audiencës.
Gazetarët e sezonit të kaluar punuan në liri të plotë dhe pa asnjë ndërhyrje editoriale në hapësirën e tyre, duke përmbushur çdo detyrim kontraktual nga ana jonë. Ndryshime janë bërë, po bëhen aktualisht dhe do të vijojnë të bëhen në ardhmen, por asnjë parti politike apo interes tjetër nga ai i publikut nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë të influencojë vijën editoriale të këtij televizioni.
Sulmet dhe komentet e pabaza në lidhje me këto lëvizje bien ndesh me vetë interesin publik, i cili kërkon të mësojë të vërtetën, të njohë të gjitha pikëpamjet dhe jo instrumentalizimin e mediave apo emisioneve për qëllime të tjera. Reagime të tilla janë të motivuara nga shqetësimi që shkakton faza e re e zhvillimit profesional të News 24 dhe e kanë burimin nga lidhjet me interesat e ngushta politike, të biznesit apo të logove të tjera në konkurrencë me ne.
Për shkak të origjinës së tyre të dyshimtë, sulme të tilla nuk e cënojnë aspak aleancën e News24 me opinionin publik dhe teleshikuesit. Askush të mos trembet nga vendimet tona, nëse s’ka gjë për t’i fshehur publikut.
(BalkanWeb)