TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij dhe institucioneve që zbatojnë urdhrat e qeverisë të tërhiqen menjëherë pasi në të kundër revolta do të jetë e pamëshirshme.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama tha se situata në vend është produkt i papërgjegjshmërisë e paligjshmërisë me të cilën po vepron maxhoranca dhe kryeministri i vendit.

“Kundërvënia e KQZ ndaj ligjit, kundërvënia e njërës polici përballë tjetrës dhe kundërvënia e qeverisë ndaj qytetarëve është shfaqja alarmante e vendit se ku e ka katandisur vendin qeveria. Qeveria e votave të blera, qeveria e presionit dhe e dhunës mbi qytetarët siç dëshmohet edhe nga përgjimet më të fundit. Marrëzia shkon edhe më tej që kur prej kryeministrit të vendit dhe gjithë të tjerët thonë çfarë ka ndodhur nuk është asgjë, ai thotë që do bëja prapë, dhe banditët poshtë tij thonë kjo është normale në një fushatë zgjedhore. Përballë një situate kriminale zgjedhjesh, natyrisht edhe produkti nuk mund të jetë i ndryshëm. Zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje me kriminelë. Ajo çfarë duhet bërë në këtë moment është tërheqja e menjëhershme e qeverisë dhe institucioneve që zbatojnë urdhrat e saj e jo ligjin sepse zemërimi dhe revolta përballë tyre do jetë e pamëshirshme”, deklaroi Luan Rama.

Ai theksoi se përgjimet e Bild provojnë dhe njëherë atë që ‘qytetarët shqiptarë e kanë ditur dhe provuar, provojnë drejtësinë dhe largpamësinë e opozitës e cila prej kohësh ka denoncuar duke treguar me gisht se ku janë kriminelët, banditët, ata që kanë vjedhur zgjedhjet’.

“Ajo që duhet të bëjë më së pari kryeministri të paktën tani të dëshmojë që i ka mbetur sado pak përgjegjshmëri, të japë dorëheqjen dhe të mos motivojë sjellje kriminale të institucioneve kushtetuese që ai i ka kapur për të përligjur dhe justifikuar këtë realitet.
Dje në mënyrë të paturp ai dhe zyrtarë të tjera dolën e na e shitën prapë dështimin për mos çeljen e negociatave si sukses. Natyrisht se besoj se nuk janë budallenj që të mos kuptojnë se përgjegjësia është e tëra e tyre. Sot është koha, nesër do të jetë vonë sepse Shqipëria nuk mund të marrë përsipër dhe të përballojë kostot e papërgjegjshmërisë së një tufe horrash që kanë ardhur në pushtet përmes votës së blerë e të trafikuar. Shqipëria nuk është në fushatë zgjedhjesh, Shqipëria ka nevojë për arsye, paqe e gjykim të arsyeshëm e në zbatim të ligjit. Kush bën të kundërtën vetëm iu shërben interesave anti-shqiptare, atyre klaneve që kanë dashur e duan e sponsorizojnë këtë përçarje mes qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Luan Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb