TIRANE – Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një ceremoni homazhesh në Presidencë në shenjë nderimi e përhulje për viktimat që humbën jetën në ngjarjen e 13 nëntorit në kryeqytetin francez, Paris.

Gjatë fjalës së tij, Nishani teksa shprehu ngushëllimet për viktimat, ofroi gatishmërinë e shtetit të tij për mbështetje Francës dhe popullit të saj. Presidenti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Odeta Nishani, theksoi me vendosshmëri se në këtë ‘beteje’ do ketë vetëm një fund; fitoren e civilizimin ndaj barbarisë.

“Së pari dua të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim që u bashkuat sonte në këtë ceremoni nderimi, kujtimi dhe solidariteti. Dëshiroj ta shfrytëzoj edhe një herë këtë ceremoni të sotme për të shprehur në emrin tim personal, në emër të shtetit shqiptar dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë solidaritetin e thellë me Francën, me popullin francez, me institucionet e shtetit francez, të shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave të aktit barbar në Paris, njëkohësisht edhe tërë popullit francez, por dhe të gjithë qytetarëve të botës që përfaqëson botën e civilizuar dhe lirinë. Më lejoni që edhe një herë të konfirmoj qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë dhe popullit shqiptar në aleancën e tij për të përballuar me sukses betejën dhe luftën e madhe kundër terrorizmit, dhunës, intolerancës. Shqipëria do të vazhdojë të qëndroj në krah të Francës, popullit francez, në krah të gjithë aleatëve të saj në këtë betejë, e cila do të ketë pa dyshim vetëm një fund, fitoren e civilizimit mbi barbarinë, triumfin e lirisë mbi dhunën dhe ekstremizmin. Paqja e përjetshme qoftë mbi viktimat! I paharruar kujtimi i tyre!”

Më pas të pranishmit u ftuan nga Kreu i Shtetit shqiptar të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave dhe kujtimit të tyre, e cila u pasua nga himnet kombëtare të Francës dhe Republikës së Shqipërisë, teksa në ballinën e Institucionit të Presidentit reflektohej shndritshëm flamuri tringjyrësh francez.

Ambasadori francez Bernard Fitoussi pasi shprehu mirënjohjen për solidaritetin e treguar, theksoi se dhimbja e Francës lehtësohet kur një popull mik dhe i sinqertë siç është ai shqiptar, i ofron dhe i jep dorën e miqësisë. Teksa deklaroi se popullit francez është në zi, ambasadori pohoi se ‘mendimi jone shkon sot për familjet e viktimave’. Sakaq, në ceremoninë e homazheve ishte i pranishëm dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

RRUGET E BLLOKURA
Më heret, Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi se orën 17:00, do të ndalohet lëvizja e mjeteve nga “Ura e Dajtit”, dhe “Libri Universitar” në drejtim te sheshit ” Nënë Tereza”.

Gjithashtu nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në segmentin, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Institucionit të Presidentit te Republikes (nga Hotel Sheratoni, Sheshi “Nënë Tereza” deri tek kryqëzimi me Hotel “Rognerin”).

Ndërkohë qeveria shqiptare e ka shpallur 16 nëntorin ditë zie kombëtare, në respekt e nderim të viktimave të sulmeve terroriste, të ndodhura mbrëmjen e së premtes në Paris.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri në gjysmështizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.

Duke i dënuar me forcë aktet terroriste, qeveria shqiptare thekson se mbetet thellësisht e angazhuar në luftën kundër terrorizmit.

(ed.me/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: