SRI LANKA

Sri Lanka ka ndaluar mbulimin e fytyrës në publik, vendim ky që merret  pas sulmeve gjatë pashkëve katolike, ku si pasojë të paktën 250 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.

Propozimi erdhi nga kryeministri i vendit dhe presidenti Maithripala Sirisena është shprehur se ka përdorur ligjin e emergjencës që ndalimi i mbulesës së fytyrës të hyjë në fuqi nga e hëna. Çdo veshje që fsheh identifikimin e fytyrës është ndaluar në kuadër të sigurisë, ka bërë të ditur presidenca. Liderët myslimanë e kanë kritikuar një lëvizje të tillë.

Nikabi dhe burka të veshura nga gratë myslimane nuk janë përmendur specifikisht në këtë vendim. Vetëm një përqindje shumë e vogël e grave myslimane në Sri Lanka përdorin një veshje të tillë. Sri Lanka vazhdon të mbetet në gjendje të lartë alarmi tetë ditë pas sulmeve të militantëve islamikë që goditi kishat dhe hotelet.

Dhjetra të dyshuar janë arrestuar lidhur me këtë ngjarje tragjike por zyrtarët kanë paralajmëruar se militantë të tjerë janë ende të lirë. Të dielën mijëra trupa dolën në rrugë për të mbrojtur kishat apo xhamitë dhe meshat në kishë u anuluan kudo në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb