Pas sulmit me dron në qytetin rus të Kazanit, shefi i Kremlinit Vladimir Putin kërcënoi Kievin me hakmarrje.
“Kushdo që përpiqet të shkatërrojë diçka në vendin tonë do të përballet me shkatërrimin e shumëfishtë në vendin e tij dhe do të pendohet për atë që u përpoq të bënte në vendin tonë”, tha presidenti rus në një video-konferencë.
Të shtunën në mëngjes, 6 dronë ukrainas goditën ndërtesat e banimit në metropolin rus të Kazanit, dhe një tjetër goditi një pronë industriale. Sipas informacioneve zyrtare, nga sulmi nuk ka pasur të lënduar. Mediat kanë shkruar për tre persona të cilët kanë pësuar dëmtime nga thyerja e xhamave të dritareve.
Kazan ndodhet më shumë se 1000 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Edhe pse Ukraina nuk e ka marrë ende zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, mendohet se kjo ishte përgjigjia ndaj një sulmi raketor rus kundër Kievit.
Ukraina gjithashtu nisi një sulm në shkallë të gjerë me dron në rajonin Oryol të Rusisë, në veri të rajonit Kursk, të dielën. Kjo u njoftua nga Guvernatori i Oryol Andrey Klychkov në Telegram të dielën në mëngjes. Sulmi synon “objektet e infrastrukturës së karburantit dhe energjisë” në rajon, tha Klychkov.
Sipas guvernatorit, mbrojtja ajrore ruse ka kapur gjithsej 20 dronë. Megjithatë, një zjarr ka shpërthyer në një pikë karburanti në fshatin Stalnoj Kon, në verilindje të qytetit të Oryol. Nuk pati raportime për të lënduar apo dëme të mëdha.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka kapur gjithsej 34 dronë ukrainas në të njëjtën natë: 20 mbi Oryol, 8 mbi Rostov dhe Bryansk, 5 mbi Kursk dhe një tjetër mbi Krasnodar. Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan gjithashtu se Rusia kishte lëshuar më shumë se 100 dronë sulmues në 24 orët e fundit.