Qindra njerëz u mblodhën në Podgoricë dhe në shumicën e qyteteve të tjera malazeze për të ndezur qirinj për viktimat e një prej vrasjeve masive më të rënda në vend.

Një 45 vjecar i armatosur qëlloi për vdekje 12 vetë në qytetin e vogël të Cetinjës përpara se të drejtonte armën nga vetja në orët e para të së enjtes. Sulmuesi, i identifikuar nga policia si 45-vjeçari Aco Martinovic, fillimisht qëlloi për vdekje katër persona në një restorant në Cetinjë pas një sherri. Më pas ai qëlloi për vdekje tetë persona të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë dhe motrën e tij, tha drejtori i policisë në një konferencë shtypi në Podgoricë. Një banore e Podgoricës, tha se ishte e shqetësuar për mosgatishmërinë e qeverisë për të pranuar pjesën e saj të përgjegjësisë për dhunën që vihet re në shoqëri.

“Më duket e turpshme që askush nuk po e pranon vazhdimisht përgjegjësinë as për rastin e vrasjes masive të dy viteve më parë dhe as për rastin e kësaj tragjedie, gjë që tregon gjithashtu se shoqëria është në krizë. Mezi pres të shoh se çfarë kanë për të thënë njerëzit në Mal të Zi për këtë dhe të shoh se si do të rrjedhin ngjarjet.”

Kjo është vrasja e dytë masive në më pak se tre vjet në të njëjtin qytet, 38 km në perëndim të Podgoricës. Në gusht 2022, një person i armatosur vrau 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë, përpara se të qëllohej për vdekje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb