TIRANË- Enea Bekteshi është përplasur me prokurorinë gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku pritet të vendoset masa e sigurisë ndaj tij. Kjo, pasi Enea Bekteshi tha se kam qenë shofer i “Audit A8” që goditi makinën e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit Gjergj Oshafi, por organi i akuzës deklaroi se shenjat e gishtave të Eneas, janë gjetur tek ana e pasagjerit, duke lënë të kuptohet se në drejtimin e makinës së blinduar ishte një person tjetër.

31-vjeçari Bekteshi që u arrestua mbrëmjen e 4 tetorit në Cërrik, rreth dy javë pas incidentit në Elbasan ka rrëfyer se është qëlluar në drejtim të tij dhe se mund të ishte vrarë por se e ka mbrojtur makina e blinduar. Bekteshi ka pohuar se është konsumator droge dhe se droga që iu gjet është e tij.

“U qëllua në drejtimin tim, mund të isha vrarë. Pa makinën e blinduar, mund të mos isha gjallë. Droga që u gjet ishte e imja, jam konsumator”, deklaroi Bekteshi në sallën e gjyqit.

Edhe avokati i tij ka deklaruar se makina e Bekteshit “Audi” A8 ka 4 shenja plumbash.

PROKURORIA
Nga ana e saj prokuroria ka bërë një rezyme të ngjarjes duke thënë se operacioni i policisë në Elbasan erdhi pas telefonatës së një qytetari i cili kishte thënë se po ndiqej nga një mjet ‘Range Rover’.
“Aksioni në Elbasan erdhi pas telefonatës së një qytetari. Qytetari tha se po qëllohej nga një mjet ‘Range Rover’. Policia ndoqi mjetin Range Rover deri te tregu. Bekteshi vinte nga Rinasi pasi çoi djalin e Petrit Çelës. Bashkë me ‘Audin’ ecte dhe mjeti ‘Range Rover’. ‘Audi’ e ‘Range Roveri’ janë filmuar teksa ecnin bashkë në Krrabë”, deklaroi Prokuroria.

Në fund Gjykata ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për 31-vjeçarin Bekteshi. Po kështu në burg është lënë dhe Aleks Pupuleku, i akuzuar si bashkëpunëtor i tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb