TIRANE- Banesa e prindërve të gazetares së “News24”, Klodiana Lala u sulmua me armë gjatë orëve të para të mëngjesit të 30 gushtit, në rrugën “Shkëndija” në fshatin Bruk në Tiranë. Kur kanë kaluar gjashtë ditë nga sulmi në banesën, ku në momentin e ngjarjes ndodheshin edhe dy vajzat e saj të mitura, gazetarja Klodiana Lala ka vendosur të thyejë heshtjen.

Në studion e “News24”, gazetarja tha se ka vendosur që të flasë sot, pasi ka një detyrim moral ndaj familjarëve të saj, të cilët u tronditën nga sulmi me breshëri kallashnikovi.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se ka vendosur të heshtë përgjatë këtyre gjashtë ditëve, për t’i dhënë kohë organeve të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre. Ndonëse kanë kaluar gjashtë ditë nga sulmi, ende nuk ka një të dyshuar konkret për ngjarjen.

Pse vendose të flasësh sot Klodi, le ta nisim këtu?
Së pari kam një detyrim moral ndaj familjes time që është goditur në mes të natës me kallash. Kam një detyrim ndaj kolegëve të mi me të cilët punoj çdo ditë. Kam një detyrim ndaj opinionit publik që shpesh më ka mbështetur, por edhe kritikuar. Kur më ka mbështetur më ka bërë të eci përpara, ndërsa kur më ka kritikuar më ka bërë të reflektoj për punën. Shumë më kanë thënë pse nuk reagova në momentet e para. Nuk reagova sepse duhet ti lija institucioneve kohën e nevojshme të hetimeve. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë, pra tu japin kohë institucioneve për të bërë detyrën e tyre. Por në të njëjtën kohë unë ja e tronditur. Jam edhe sot e tronditur edhe sot kur e mendoj se në banesën e prindërve të mi flinin dy vajzat e mija të mitura të cilat pjesën më të madhe të viteve e kanë kaluar në atë banesë. E kalojnë aty sepse unë kam zgjedhur që mamanë time si personin më të mirë dhe të përshtatshëm që të rrijë pranë tyre. Ne kemi pasur orë të gjata në punë dhe kemi pasur ngjarje të vështira për të mbuluar. Në momentet e para jam munduar të jem e fortë, sepse po të lëkundesha unë, do të lëkundeshin edhe familjarët dhe nuk do ta mbanin presionin. Dhe për të gjitha këto arsye mendova se do ishte më mirë një moment i dytë për të sqaruar opinionin publik, i cili ka bashkëpunuar me mua në momente të caktuara. Unë kam trokitur dhe kam kërkuar shpjegim prej tyre, kam ndjekur histori të ndryshme. Kam trajtuar probleme për të mirën e përbashkët. Unë nuk do  merrem me atë se çfarë ka ndodhur atë natë në shtëpinë time…

Na trego si ndodhi e gjitha, si u sinjalizove. Të paktën nga raportimet e asaj dite ne mësuam se Klodiana Lala nuk ishte në banesë? Si u sinjalizove?
Është e vërtetë që unë atë ditë nuk isha në banesë, pasi jam ndodhur në apartamentin tim privat që e kam në një zonë periferike. Atë ditë kam lëvizur shumë për shkak të një problemi shëndetësor familjar.  Në banesë ishin dy prindërit e mi, babi është në prag të pensionit, janë ndodhur dy vajzat e mija të mitura, më e madhja është 6 vjeç dhe e vogla 2 vjeç. Është ndodhur vëllai im dhe një çift bashkëshortesh që janë miqtë të familjes tonë. Në mëngjes më telefonon vëllai dhe me thotë të hap Wahtsup se më kishte sjellë një foto… Më besoni se gjithsecili që mund të jetë në vendim tim do tronditej. I jam lutur në telefon vëllait dhe i thashë unë e di që ti nuk ke probleme se të ndjej nga zëri, por më thuaj çfarë ka ndodhur me vajzat.

Foto çfarë tregonte, shenjat e plumbave në derën e shtëpisë?
U trondita kur pashë plumbat në muret e shtëpisë. Pasi u sigurova që vajzat dhe familjarët nuk kishin asgjë. Pyetja e parë ishte për vajzat sigurisht. Më pas kam pyetur për prindërit dhe miqtë që ishin atje. Pasi u sigurova që nuk kishte të lënduar, kam telefonuar drejtorin e policisë së Tiranës dhe më pas kam sinjalizuar me një mesazh edhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u përgjigj në kohë rekord. Më ka marrë ne telefon dhe policia shkoi në shtëpinë time. Unë ja kam bërë të qartë që unë nuk do publikoja lajm derisa të hetohej. Ne kemi qenë të hapur për t’u hetuar në të gjitha pistat. Unë dhe familjarët nuk kemi asnjë problem të një karakteri të ndryshëm. Familjarët e mi kanë qenë të hapur për hetimin. Jemi të hapur për gjatë gjithë kohës dhe sigurisht do t’i japim institucioneve ligjzbatuese të gjithë kohën e nevojshme që të hetojnë lidhur me këtë gjë. Unë pasi e mora veten nga kjo tronditje, në kuptimin që e ndjeva të nevojshme që duhet të dal dhe t’i them opinionit publik që, po unë si nënë, si vajzë, si partnere, si motër, janë e tronditur, por si gazetare nuk jam e frikësuar.

Unë jam përpjekur që në të gjitha vitet e mia të punës, 12 prej të cilave i kam pranë të njëjtës kompani, fillimisht në “Gazetën Shqiptare” e më pas në “News24”, jam përpjekur me të gjitha forcat dhe mundësitë që unë ta kryej detyrën time me profesionalizëm, me përkushtim, të jem e paanshme me të gjitha, dhe t’u jap atyre mundësinë që të flasin për secilën histori. Në këtë këndvështrim unë jam përpjekur ta bëj mirë punën time. Sigurisht kam dyshime që kjo gjë dhe ky sulm lidhet direkt me punë time. Por unë nuk do të nxitohem për ta thënë këtë gjë, do t’i jap të gjithë kohën e nevojshme institucioneve ligj zbatuese. Do të jem e hapur dhe u bëj thirrje përmes televizionit ku unë punoj, që të hetojnë në të gjitha dimensionet, jo vetëm mua, por edhe pjesëtarët e familjes sime, përfshirë edhe dy vajzat e mia të mitura nëse është e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Në këtë kuptim, unë i kam adresuar dyshimet e mia dhe shqetësimet e mia dhe tashmë është detyre e tyre që të japin fjalën e tyre dhe të zbardhin të gjithë këtë ngjarje. A do ta kryej unë detyrën me të njëjtin përkushtim dhe a do frikësohem unë nga ky sulm?

E ke dëshmuar! Dje ishit live…
Unë kam dalë dje live, dhe sot e ndjeva po prapë të arsyeshme që t’i them opinionit publik që duhet të më besojë, ashtu sikurse më ka besuar përgjatë gjithë viteve të shkuara, që po unë jam këtu, kam zgjedhur këtë vend të jetoj, do vazhdoj të jetoj këtu, vajzat e mira do t’i rrit këtu, pasi është një vend që e kam dashur, e dua dhe do ta dua shumë. Dhe në këtë këndvështrim e ndjeva të nevojshme që të flas për familjen time dhe gjithë opinionin publik.

Deri tani duket se është një kërcënim për çështje të punës, ndaj le të flasim pak për këtë fenomen, të gazetarit të kërcënuar. Dhe sidomos ajo që është më e frikshme, e gazetarëve të kronikës, që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë, gjykatave, krimit të organizuar. Nuk jeni vetëm ju, dimë raste të kolegëve të tjerë që punojnë në të njëjtën fushë.
Para dy vite e gjysmë mua më është adresuar një tjetër kërcënim. Është një dosje e cila vijon të jetë në Prokurorinë e Tiranës. Në atë kohë mua më erdhi një letër që më kërcënonte me jetën e familjarëve të mi. Kam shkuar në zyrën e Haki Çakos, dhe më kanë dhënë mbrojtje në atë kohë. Nuk e kam bërë publike këtë çështje. Por që një gazetar ta bëjë mirë punën, duhet të jetë i sigurtë për jetën e tij dhe familjarëve të tij. Shpeshherë puna e gazetarëve të kronikës nuk është vlerësuar ashtu siç duhet. Shpeshherë drejtësia i ka parë me dyshim denoncimet e bëra prej tyre, dhe i kanë lënë të harruara dosjet e gazetarëve diku aty në një cep. Nuk dua ta sulmoj drejtësinë. Besoj se sot me kupton kolegu Artan Hoxha se çdo të thotë të kërcënohesh të dalësh nga shtëpia kur ke gjetur nga dera një plumb, sot besoj se më kupton Anila Hoxha, Gerti Xhaja, Flamur Vezaj, Etleva Delia, Armand Bajrami, apo kolegë të tjerë që sot drejtojnë media apo institucione të ndryshme, dhe që janë kërcënuar. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë punë derisa do ta ndjej se jam e aftë për t’i ofruar publikut një produkt të mirë. Por mendoj se duhet të ketë mbrojtje për gazetarin, të ketë një status të tyre. Sepse në të kundërt është një kambanë alarmi. Liria e medias është thelbësore për një vend demokratik. Besoj se në këtë çast të gjithë gazetarët e kronikës e gjejnë veten tek mua, ashtu siç e kam gjetur tek ata në momente të caktuara.

Qoftë edhe për një moment, si nënë, e ke menduar të largosh vajzat nga vendi, nga Shqipëria, pas asaj që ndodhi?
As edhe për një moment të vetëm, sepse unë besoj se nëse ne do jemi të gjithë bashkë, dhe do bëjmë punën tonë, dhe nëse institucionet zbardhin ngjarjet dhe vënë para drejtësisë njerëz që kryejmë krime, apo një sulm të tillë… mund ta them, se ky është një sulm prej burracakësh, sepse të marrësh armë dhe të qëllosh në drejtim të dy fëmijëve të mitur është monstruoze. Dhe jo sepse më ka ndodhur mua, por kujtdo që t’i ndodhë, kushdo nënë që do ishte në vendin tim, pa diskutim që do thoshte të njëjtën gjë. Nuk e kam menduar, dhe nuk e mendoj. Vajzat e mia i kam në kopsht dhe çerdhe publike, jam e hapur të hetohem nga të gjitha mediat. Dua të kem gjithë durimin e nevojshëm që t’i lë institucionet të bëjnë punën e tyre dhe të thonë fjalën e tyre të fundit, pro si nënë e kam të vështirë që t’i jap përgjigje vajzës sime të madhe e cila më pyet, “Mami pse na qëlluan?”. Unë nuk e di pse na qëlluan, unë jam përpjekur të jem korrekte në punën time. Ne jemi një familje e thjeshtë. Familjarët e mia nuk kanë patur konflikt me askënd, as me institucionet e rendit dhe të drejtësisë. Ne përpiqemi çdo ditë të bëjmë një jetë normale. Ne këtu kemi dalë dhe kemi folur për ngjarje shumë të rënda, që ende nuk kanë një autor. Për pak ditë bëhen 9 vite nga ekzekutimi mafioz i gjykatësit Skerdilajt Konomi. Janë njerëzit e parë që kam menduar në momentin u njoftova për ngjarjen, sepse një grua mbeti e ve me dy fëmijë të vegjël, dhe as sot nuk e dinë arsyen përse fëmijët e saj po rriten jetimë, përse bashkëshorti i saj, gjykatës iu ekzekutua në mes të Vlorës. E shumë e shumë raste të tjera. Ndaj thirrja ime shkon për institucionet që të veprojnë sa nuk është vonë. Vetëm kështu opinioni publik nuk do të ketë frikë. Unë dyshimet e mia i kam për shkak të detyrës, por nuk do nxitohem për këtë gjë.

Sa larg kapjes së autorëve të ngjarjes janë institucionet?
Në fakt nuk kam pyetur, pasi do të konsiderohej intimidim, duke qenë se unë jam palë e dëmtuar. Çka do të thotë se janë kolegë të tjerë që mund të merren me këtë ngjarje. Shqetësimet e mia i kam adresuar, tani po pres të flasin organet. Por nëse nuk do të gjenden autorët për ngjarjen, jo vetëm për këtë, por për çdo ngjarje, atëherë frika do të jetë shumë e madhe, mes gazetarëve, dhe gjithë qytetarëve.

U quajt një kërcënim i paprecedentë, pasi kërcënimet e tjera ndaj gazetarëve kanë qenë me letra, me mesazhe, me shenja si plumbi, psh. Mendon se kjo ngjarje, të qëllosh me armë shtëpinë e dikujt, është një hap më tej?
Unë ju thashë që ky është një akt barbar dhe burracakësh. Nëse unë do të kisha bërë qoftë edhe një gjë sado të vogël të gabuar, mund të merreshin me mua, nuk mund të shkojë dikush e të qëllojë mbi një shtëpi ku janë dy prindër të pambrojtur, dy fëmijë të pambrojtur, është akt barbar. Kushdo qoftë ai që e ka bërë, ka qëlluar mbi dy fëmijë të pambrojtur. Vajza ime e vogël ende nuk artikulon dot një fjali, është e vogël, por kjo nuk më pengon mua të bëj siç duhet punën time, edhe pse ata burracakë kanë ardhur dhe kanë qëlluar mbi shtëpinë e prindërve të mi. Një shtëpi e cila është ndërtuar për 20 vite me radhë nga një tullë e nga një tullë. Është akt burracakësh, dhe burracakët duhet ta ndjejnë vetën shumë të vegjël për atë akt. Dhe policia duhet t’i gjejë dhe t’i çojë pas hekurave.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb