Sipas autoriteteve të Izraelit, dy izraelitë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa nga Libani, transmeton Anadolu.

Shërbimi i urgjencës i Izraelit ‘Magen David Adom’ tha se një burrë dhe një grua rreth të dyzetave u shpallën të vdekur pasi pësuan lëndime kritike nga sulmet me raketa në Kiryat Shmona në Izraelin verior.

Ushtria izraelite konfirmoi se 20 raketa u hodhën nga Libani në drejtim të qytetit Kiryat Shmona duke ndezur edhe sirenat në zonë.

Ushtria po ashtu tha se 40 raketa të tjera u lëshuan nga Libani në veri të Izraelit, duke plagosur pesë persona në Haifa dhe duke shkaktuar një ndërprerje të energjisë në pjesë të qytetit Kiryat Bialik.

Disa prej predhave sipas ushtrisë u kapën, ndërsa disa të tjera ranë në zonat e Galilesë së Epërme dhe Gjirit të Qytetit Haifa.

Videot që qarkulluan në mediat sociale treguan raketa që binin në Haifa dhe rajonet përreth.

Grupi libanez Hezbollah, nga ana e saj, mori përgjegjësinë për sulmin me raketë, duke theksuar se sulmet kishin në shënjestër një vendosje të forcave izraelite në Izraelin verior.

Hezbollahu gjithashtu tha se pengoi përpjekjet për infiltrim nga forcat tokësore izraelite në qytetet kufitare në Libanin jugor. Ushtria izraelite pranoi se tre nga ushtarët e saj u plagosën rëndë në përleshje.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore anembanë Libanit kundër asaj që pretendon se ka objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.250 njerëz, duke plagosur mbi 3.620 të tjerë dhe duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 1.2 milionë banorëve.

Fushata ajrore ishte një përshkallëzim në luftën ndërkufitare 1-vjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës, ku janë vrarë të paktën 42 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Që atëherë, të paktën 2.119 njerëz janë vrarë gjithashtu në sulmet izraelite Liban dhe rreth 10.019 të tjerë janë plagosur.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur më 1 tetor një pushtim tokësor në Libanin jugor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: