Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh anëtar i lartë i Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni, Eliot Engel, ka vlerësuar maksimalisht autoritetet e Kosovës për parandalimin e një sulmi terrorist të militantëve të ISIS ndaj kombëtares së Izraelit gjatë ndeshjes së futbollit që u luajt në Shqipëri.

“I duartrokas autoriteteve të Republikës së Kosovës për parandalimin e një vargu sulmesh të planifikuara terroriste nga ekstremistët e ISIS-it, duke penguar një masakër ndaj kombëtares së Izraelit në futboll”, ka thënë Engel nëpërmjet një komunikate.

“Më kujtohet sulmi brutal ndaj ekipit olimpik izraelit në Munih më 1972, dhe druaj se ky sulm mund të kishte qenë po aq i keq ose edhe më i rëndë”, ka shtuar Engel.

“Unë i jam gjithashtu mirënjohës autoriteteve në Shqipëri dhe Maqedoni, të cilat kanë bashkëpunuar me Kosovën për ta parandaluar këtë sulm”, – tha ai.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ka vlerësuar se Kosova ka ndërtuar një historik mbreslënës të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. “Askush nuk duhet të dyshojë në angazhimin e udhëheqësve në Prishtinë për ta arritur këtë objektiv, dhe Shtetet e Bashkuara janë me fat që kanë një partner si Kosova në këtë përpjekje të rëndësishme”, ka thënë Engel. Ai ka vlerësuar se “duke marrë parasysh historikun e fuqishëm të Kosovës, është koha të përshpejtohet inkuadrimi i Kosovës në strukturat kyç euroatlantike, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.

AKSIONI I POLICISE SE KOSOVES
Pas arrestimit të 19 personave në kuadër të dyshimeve për sulme terroriste, Policia e Kosovës ka bërë bilancin e këtyre operacioneve, si dhe jep detaje mbi sendet e sekuestruara. Nga 4 nëntori e deri më tani, sipas Policisë së Kosovës, janë arrestuar 18 persona nga Kosova dhe 1 nga Maqedonia.

Policia e Kosovës sqaron se këta persona ishin në kontakt me dy persona që luftojnë në Siri, Lavdrim Muhaxheri dhe R.H, dhe kishin marrë udhëzime për sulme terroriste në Kosovë dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izreal.

“Duke pasur parasysh se institucionet e Sigurisë në vazhdimësi monitorojnë dhe trajtojnë personat që shfaqin elemente ekstremiste, kanë kuptuar se persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M., nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit. Pas një monitorimi dhe hetimi për një periudhë të gjatë kohore, ku janë përdorur të gjitha masat e specializuara të fshehta të hetimit, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ku personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izreal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit kompetent, 18 personave të dyshuar iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orësh.

Gjatë operacionit u sekuestruan 281 gramë eksploziv i llojit TATP, që vlerësohet si një ndër eksplozivet më të rrezikshëm dhe më të ndjeshëm, dhe rreth 2.5 kg substancë e përzier me lëndë shpërthyese në gjendje të kristaltë.

MASAKRA E MYNIHUT
Në 5 shtator 1972, Mynihu, kryeqyteti i Landit të Bavarisë në Gjermani dhe organizatori i Lojrave Olimpike Verore atë vit, u zgjua me një lajm tronditës. Ekipi Olimpik i Izraelit ishte marrë peng gjatë orëve të para të mëngjesit nga një organizatë terroriste palestineze të quajtur “Shtatori i Zi”.

Duke përfituar nga mungesa e rojeve të sigurisë terroristët kishin kapërcyer gardhin dhe kishin mundur të hynin, rreth orës 4.30 të mëngjesit, në seksionin e Fshatit Turistik ku ishte strehuar ekipi izraelit. Dy prej pengjeve, trajneri i mundjes Moshe Weinberg dhe peshëngritësi Yossef Romano  ishin vrarë që në fillim gjatë përleshjeve me pengmarrësit, fakt që u mësua më vonë.

Terroristët kërkuan lirimin e menjërshëm të 234 palestinezëve që mbaheshin në burgjet e Izraelit dhe dërgimi i tyre i sigurt në Egjipt. Ata hodhën nga ballkoni trupin e Weinberg për të treguar që ishin të vendosur në misionin e tyre. Pas bisedimesh të gjata u ra dakort që pengmarrësit dhe pengjet të fluturonin drejt Kairos, megjithëse qeveria e atëhershme egjiptiane kishte bërë të ditur se nuk donte të përfshihej në këtë situatë pengjesh.

Në orën 10 të mbrëmjes një autobus i solli pengjet dhe pengmarrësit pranë helikopterëve që do ti çonin ata direkt në Fürstenfeldbruck, një bazë ajrore e NATO-s. Por policia gjermane po përgatiste në të vërtetë një sulm të shpejtë kundër pengmarrësve me qëllim lirimin e pengjeve. Për këtë ajo kishte angazhuar në pika të ndryshme aeroport 5 snajpera, të cilët thuhet se ishin fare pa përvojë.

Por gjatë transportimit nga godina tek helikopterët u pa se terroristët ishin tetë dhe jo pesë ose katër siç kishin kujtuar në fillim. Kur kjo u mor vesh policët e avionit e anuluan misionin pa u konsultuar me shefat e operacionit. Helikopterët mbërritën në aeroport në orën 10.30 dhe kryetari i grupit të terroristëve shkoi të shikonte avionin. Kur e gjeti atë bosh ai kuptoi se iu ishte ngritur kurth dhe u kthye për tek helikopterët.

Aty filloi beteja mes tyre dhe snajpërve. Duke e parë se nuk kishin asnjë  rrugë shpëtimi tërroristët ekzekutuan të gjithë pengjet. Në përfundim të betejës rezultati ishte tragjik: 17 të vrarë, 11 izraelitë, 5 terroristë dhe një polic gjerman që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit në aeroport.  Tre pengmarrësit e mbijetuar u arrestuan, por u liruan më vonë kur organizata terroriste Shtatori i Zi rrëmbeu një avion të Lufthansa-s.

Kjo ngjarje e 5 shtatorit 1972 ka hyrë në histori si Masakra e Mynihut dhe është përjetësuar nga Hollwood në filmin Mynih dhe në qindra botime në të gjithë botën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb