TIRANË

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dënuar sulmin ndaj gazetarit dhe analistit Fatos Lobonja. Me një shënim në “Facebook”, e para e LSI-së thotë se dhuna e sotme është modeli që kryeministri Edi Rama frymëzon çdo ditë.

Sipas Kryemadhit, akte të tilla ndaj njerëzve të fjalës së lirë dhe mendimit kritik nuk mund të gjejnë vend në një sistem demokratik.

“Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm. Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes. Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë. Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve. Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci”-shkruan Kryemadhi.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb