Sulmi në Magdeburg të Gjermanisë, ku humbën jetën 5 persona, përfshirë një djalë 9-vjeçar, duket se ka futur në alarm qeveritë në vendet e ndryshme.

Pas masakrës së ndodhur në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman, Qeveria italiane po ripërpunon planet mbi masat e sigurisë që duhet të merren gjatë ngjarjeve të planifikuara për festat e Krishtlindjeve dhe në funksion të ngjarjeve të mëdha, siç është Jubileu në Romë.

Në këtë kuadër një qarkore që i është dërguar prefektëve, komisarëve dhe departamentit të sigurisë publike, udhëzon shtimin e “vigjilencës dhe kontrollit” në tregjet e Krishtlindjeve, si dhe zonat kryesore turistike.

Një qarkore e mëparshme, e datës 10 dhjetor, kishte urdhëruar një forcim të vigjilencës me referencë të veçantë për festat dhe fillimin e Jubileut dhe hapjen e Derës së Shenjtë. Vigjilencë maksimale në portet, aeroportet, stacionet, zonat turistike, objektivat fetare, veçanërisht ato hebreje. Të dy qarkoret rekomandojnë modulimin e shërbimeve duke marrë parasysh “specikat e territorit”.

Por pas sulmit në Magdeburg, në Ministrinë e Brendshme italiane u mbajt takimi i komisionit të analizës strategjike antiterroriste (Casa) dhe në orët e pasdites, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi kryesoi një takim me drejtuesit e forcave të policisë.

Gjatë takimit, sulmi i Magdeburgut u analizua fillimisht mbi bazën e elementeve të para që dolën edhe falë shkëmbimit të informacionit ndërmjet aparateve të sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Kreu i Ministrisë së Brendshme rekomandoi që forcat e policisë t’i kushtojnë vëmendje maksimale për mbrojtjen e qytetarëve nga ngjarjet në rrugë: tregjet e Krishtlindjeve, procesionet, ceremonitë jubilare, koncertet.

Dhe masat nuk duhet të merren vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në qytetet e vogla. Shqetësimi është rreziku i aktivizimit të një “ujku të vetmuar”, në mungesë të informacioneve për veprimtarinë e grupeve që cënojnë sigurinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb