Presidenti Joe Biden, duke folur me gazetarët në Delaware, tha se ndjeu “zemërim dhe zhgënjim” për sulmin, por do të përmbahej nga komente të mëtejshme derisa të mësohen hollësitë.

“Zemra ime është me viktimat dhe familjet e tyre që thjesht po përpiqeshin të festonin Vitin e Ri”, tha Presidenti Biden përmes një deklarate. “Nuk ka justifikim për asnjë lloj dhune dhe ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm ndaj komuniteteve të vendit tonë.”

Sulmi është shembulli më i fundit i përdorimit të një automjeti si armë për të kryer dhunë masive, një prirje që ka alarmuar zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe që mund të jetë e vështirë të parandalohet.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dënoi sulmin përmes një mesazhi të postuar në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

“Zemrat tona janë me të gjitha viktimat e pafajshme dhe të dashurit e tyre”, tha zoti Trump. “Administrata Trump do të mbështesë plotësisht qytetin e Nju Orlinsit ndërsa ata hetojnë dhe rimëkëmben nga ky akt i së keqes së pastër!”

Një shofer ka bërë masakër në lagjen e mirënjohur franceze të Nju Orlinsit në orët e para të ditës së Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 10 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.

Mbi 35 persona u plagosën, pasi sulmi i së mërkurës e shndërroi Rrugën festive Bourbon në një kaos makabër. FBI-ja po e heton ngjarjen si një akt terrorist. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin dhe kryerjen e këtij sulmi.

Shoferi është identifikuar me emrin Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press gjashtë zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, që folën në kushte anonimiteti.-Voa-

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: