Diplomati Mal Berisha, në emisionin “Opinion” në Neës24, duke folur për zhvillimet e fundit pas shpërthimit në Zubin Potok, tha se tensionet në Kosovë kanë një ndikim shumë më të gjerë se rajoni ku zhvillohet ngjarja.
Berisha tha se kjo është në kuadër të një plani destabilizues që e nxit Rusia dhe në Rajon e zbaton Serbia. Diplomati tha se Serbia nuk është asgjë tjetër vetëm një dorë e zgjatur e Rusisë në Rajon.
“Serbia është përfaqësuese e këtij plani destabilizues. Mos prisni që Serbia të pranojë se e ka kryer ajo këtë sulm”, tha diplomati Mal Berisha. Ai tha se çdo cënim i këtij tubacioni me ujë, nuk është asgjë tjetër por një cënim i integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ai tha se në të gjithë zonën ku është zhvilluar ky akt terrorist, të gjithë banorët janë të armatosur, të gjithë personat janë të gatshëm që të ndërmarrin veprime konkrete.
“Kosova nuk mund të përjashtohej nga agjenda ruse e destabilizimit dhe askush tjetër nuk mund të luante këtë rol më mirë se Serbia”, tha Mal Berisha. Ai tha se SHBA dhe BE, aleatët tanë, duhet të reagojnë shumë shpejt, nuk mund të vijohet me gjuhën e thatë diplomatike. “A është BE e gatshme të heqë sanksionet ndaj Kosovës?
Përse nuk mblidhet dhe të heq sanskionet që ia kanë imponuar pa arsye. Kemi një gjuhë të thatë diplomatike, Gjermania ka mbajtur një qëndrim më të ashpër, por nuk kemi gjuhë të fortë diplomatike”, tha Berisha.
Ai tha se destabilizimi i Kosovës ka një ndikim shumë të madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut.