Kryeministri indian, Narendra Modi i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin të martën se vdekja e fëmijëve të pafajshëm është e dhimbshme dhe e tmerrshme.
Deklarata e Modit është bërë gjatë takimit që ka pasur me Putinin në Moskë, dhe vjen një ditë pas sulmit rus në një spital të madh të fëmijëve në Kiev, raporton Reuters.
Vërejtja e liderit indian ishte një qortim i nënkuptuar ndaj Putinit, i cili pak çaste më parë e kishte mirëpritur atë në Kremlin me një deklaratë të ngrohtë për rëndësinë e lidhjeve strategjike midis dy vendeve.
Ukraina thotë se ka gjetur pjesë të një rakete lundrimi ruse Kh-101 në spitalin e fëmijëve, e cila u godit të hënën gjatë një vale sulmesh ruse që vranë të paktën 41 ukrainas në të gjithë vendin.
Rusia tha, pa dhënë prova, se ishte një sistem ukrainas kundër raketave që goditi spitalin.
“Pavarësisht nëse është luftë, konflikt apo sulm terrorist, çdo person që beson në njerëzimin, ndjen dhimbje kur ka humbje jetësh. Kur vriten fëmijë të pafajshëm, zemra rrjedh gjak dhe ajo dhimbje është shumë e tmerrshme”, është shprehur Modi.