Ekspert i sigurisë, Nuredin Ibishi, në studion e emisionit “Open” në News24, duke folur për sulmin në Zubin Potok në mbrëmjen e së premtes, tha se është një nga sulmet më të rënda në Kosovë. Ai tha se ky sulm ka lidhje me atë të ndodhur vitin e kaluar në Veri të Kosovës, ku grupi terrorist kreu sulmin e armatosur.
Sulmi kishte si synim të krijonte kolaps në furnizimin me ujë, por edhe me energji elektrike, ka Ibishi, duke e cilësuar një akt-terrorist. “Është një sulm hibrid, kundër infrastrukturës kritike, i ngjashëm me sulmet ruse në Ukrainë”, tha Ibishi.
Ai tha se nëse flasim në mënyrë të veçantë se si është organizuar ky sulm, fillimisht u arrestuan 10, por 1 u lirua. “Policia e Kosovës është në gjurmët e zbulimit të këtij sulmi terrorist”, tha Ibishi.
Sipas tij, ky akt terrorist është përgatitur mirë, synonte të arrinte qëllimin. “Janë dy organizata terroriste, Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut. Mendoj se Policia dhe Prokuroria mund të japin deklarata të konfirmuara mirë, të tjerat janë deklarata politike. Dy grupet terroriste të shpallura në Kosovë kanë një arsenal të tillë armatimi, që i kanë shpërndarë edhe në banesat private, por edhe në depot në natyrë”, tha Ibishi.
Sipas tij, policia dhe prokuroria janë në rrugën e duhur për të zbardhur këtë ngjarje. “Vetë akti terrorist tregon se është ndër aktet më të rënda që mund të ndërmerret ndaj një shteti. Mendoj se edhe institucionet ndërkombëtare e kanë ndjekur me shqetësim këtë akt terrorist kundër infrastrukturës kritike të një vendi”, tha Ibishi.