Nëse ishte pika më e fortë e Vllaznisë deri në këto momente të sezonit, në javët e fundit sulmi i kuqebluve ka qenë i “thatë”. Skuadra e drejtuar nga Brdariç ka shënuar 49 gola pas 33 javëve të Superiores, duke qenë në këtë statistikë së bashku me Dinamon si ekipet që kanë gjetur rrjetën më së shumti këtë edicion.
Në periudhën e fundit, ku golat janë ata që kanë më shumë rëndësi sepse garantojnë suksesin në duele vendimtare, rrjetat e futbollistëve shkodranë kanë munguar. 9 herë kampionët e vendit nuk gjejnë golin prej 270 minutash tashmë, në 3 ndeshje radhazi mes kampionatit dhe kupës.
Në këto ndeshje, kuqeblutë kanë barazuar 0-0 me Teutën në shtëpi për kampionat, po ashtu 0-0 ndaj Dinamos në Shkodër për kupën dhe së fundmi një humbje 1-0 në Ballsh me Bylis në kuadër të javës së 33-të të kampionatit. Një moment “jo” për sulmin dhe golashënuesin e skuadrës Bekim Balaj.