Presidenti Joe Biden u takua të hënën me familjet e viktimave, mori pjesë në një shërbesë lutjesh dhe u ndal në një memorial të improvizuar në Nju Orlins për nder të atyre që humbën jetën në sulmin vdekjeprurës në Ditën e Vitit të Ri në lagjen historike të qytetit. Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden e bënë ndalesën e tyre të parë në një përkujtimore në rrugën Bourbon, aty ku një veteran i ushtrisë kreu sulmin duke përplasur një kamion me turmën, duke vrarë 14 vetë dhe duke plagosur 30 të tjerë.

Lule, mesazhe dhe kryqe ishin vendosur në trotuar për të nderuar viktimat. Më pas çifti u drejtua për tek katedralja St. Louis aty pranë. Presidenti dhe zonja e parë u takuan privatisht me familjet e atyre që humbën jetën, të mbijetuarit dhe forcat lokale të zbatimit të ligjit.

Më pas, ata morën pjesë në një shërbesë ndërfetare.

Biden ka bërë dhjetëra vizita në zona që janë goditur nga dhuna, fatkeqësitë natyrore dhe të tjera gjatë katër viteve të tij në detyrë. Atij i kanë mbetur vetëm dy javë në detyrë, kështuqë vizita e së hënës në Nju Orlins mund të jetë e fundit e kësaj natyre.

Është një detyrë solemne e presidentëve, megjithëse jo çdo udhëheqës e ka përqafuar një rol të tillë me aq ndjeshmëri sa 82-vjeçari Biden, i cili ka përjetuar shumë tragjedi personale në jetën e tij.

Gruaja e tij e parë dhe vajza e tij e vogël vdiqën në një aksident me makinë në fillim të viteve 1970, dhe djali i tij i madh, Beau, vdiq nga kanceri në 2015.

“E kam përjetuar një gjë të tillë. Nuk mund t’i thuash asgjë dikujt që ka pasur një humbje kaq tragjike,” u tha Biden gazetarëve të dielën.

Zoti Biden shpesh flet privatisht në raste të tilla me familjet, nuk ngurron të japp numrin e tij personal të telefonit në rast se njerëzit duan të flasin më pas dhe flet për dhimbjen hapur dhe në mënyrë personale.

Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentet kur veterani 42-vjeçar i ushtrisë amerikane Shamsud-Din Jabbar shtypi me kamion turmat e njerëzve në fillim të ditës së Vitit të Ri në Nju Orlins.

Një flamur i zi i Shtetit Islamik u gjet në kamionin e tij, duke nxitur FBI-në ta hetojë incidentin si një akt terrorist.

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se agjencitë federale të zbatimit të ligjit po hetojnë të gjitha lidhjet e mundshme të sulmuesit.

“Forcat federale të zbatimit të ligjit dhe agjencitë e zbulimit po hetojnë në mënyrë aktive çdo kontakt të huaj apo vendas të sulmuesit, që mund të jetë i rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave të sulmit. Ne do të vazhdojmë pa pushim luftën kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste kudo që ato janë. Ato nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt këtu”, tha Presidenti Biden.

Katërmbëdhjetë persona u vranë në sulmin e Vitit të Ri në Nju Orlins dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Autori i sulmit, veterani i ushtrisë Shamsud-Din Jabbar, vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

FBI-ja thotë se Shamsud-Din Jabbar kishte fshehur pajisje shpërthyese të improvizuara në disa rrugë, përfshirë një kryqëzim, ku zakonisht ka shumë lëvizje të njerëzve.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se ky është një rast tjetër i ekstremizmit të dhunshëm në vend.

“Po përballemi me lloje të vështira kërcënimesh dhe kjo është arsyeja pse ne si komunitet, jo vetëm qeveria federale, por zyrtarët dhe banorët shtetërorë dhe lokalë, duhet të jemi vigjilentë ndaj tyre dhe të marrim masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës”, tha Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Më vonë, në ditën e Vitit të Ri, dhe më shumë se dy mijë kilometra larg në Nevada, anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, Matthew Livelsberger, hodhi në erë një kamion të kompanisë Tesla, që e kishte me qera, pranë hotelit “Trump International” në Las Vegas.

Mjeku ligjor i Qarkut Clark konfirmoi se Livelsberger, një ushtar i dekoruar, për të cilin zyrtarët thonë se vuante nga stresi post-traumatik, vrau veten, pak para se kamioni të shpërthente. Zyrtarët thonë se askush tjetër nuk u lëndua rëndë.

Forcat e zbatimit të ligjit thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis sulmeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb