Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të zgjasë masën e paraburgimit për dy muaj për tre të dyshuarit Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

Lajmi është konfirmuar nga Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në zyrën e kryetares së gjykatës. “Duke iu përgjigjur kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marrë aktvendim më 20 gusht 2024 dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke vendosur që masa e paraburgimit për tre të pandehurit të zgjatet për 2 muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq janë në paraburgim që nga 26 shtatori 2023. Ata përballen me akuza për veprat penale: “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në incidentin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy oficerë të tjerë të policisë. Pas këtij sulmi, tre nga sulmuesit u vranë, ndërsa të tjerët u tërhoqën pas një qëndrimi të shkurtër në Manastirin e Bajnskës, shkruajnë mediat e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje që tregonin Milan Radoiçiq, duke theksuar se ai ishte udhëheqësi i grupit terrorist përgjegjës për sulmin ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Më vonë, Radoiçiq pranoi përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb