LONDER – Britanikja “Daily Mail” ishte e para që publikoi pamjet e sulmit terrorist në restorantin e Parisit. Por për të siguruar videon dramatike, “Daily Mail” u dha pronarëve të restorantit plot 50 mijë euro.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetari algjerian Djaffer Ait Aoudia, i cili pretendon se ka qenë i pranishëm në momentin kur gazetarët e “Daily Mail” po negocionin me pronarin e restorantit.

Gazetari tha se negociatat për publikimin e videos kanë zgjatur me orë të tëra, pasi “Daily Mail” ka ofruar fillimisht 12 mijë euro, por pronari i restorantit nuk pranoi t’i jepte pamjet për më pak se 50 mijë euro.

Më pas gazetarët e “Daily Mail” kanë hedhur mbi banakun e lokalit plot 50 mijë euro cash. Në fund të negociatave, gazetarët kërkuan shkatërrimin e hard diskut, për të qenë të sigurt se do të kishin ekskluzivitetin e videos.

“Mendoj se është e drejtë që përpara se të transmetohen imazhet duhet të reflektojmë, pasi bëhet fjalë për elementë të domosdoshëm për hetimet. Prandaj vendosa ta nxirrja në dritë këtë histori.”- deklaroi gazetari i “Petit Journal”.

Ndërkohë prestigjiozja “Daily Mail”, u është përgjigjur vetëm me një “No comment”, pretendimeve të gazetarit Djaffer Ait Aoudia.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: