Një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës, për të cilën ushtria izraelite pretendoi se ishte një “qendër komandimi” për “terroristët” e Hamasit, rezultoi në gati njëqind vdekje dhe ngjalli reagime intensive në mbarë botën. Natën e kaluar, ushtria izraelite pohoi se sulmi eliminoi “të paktën 19 terroristë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez”, duke lëshuar një listë me emra.

Shtëpia e Bardhë shprehu “shqetësim të thellë” për bombardimin. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së tha: “Kjo nënvizon nevojën urgjente për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve, për të cilën ne po punojmë pa u lodhur për ta arritur.”

Zëvendëspresidentja Kamala Harris komentoi edhe një herë “numrin e madh të viktimave”. Irani e dënoi sulmin si një “krim lufte” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë popullin palestinez. Një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme iraniane tha: “Ky sulm dëshmon edhe një herë se regjimi i aparteidit të Izraelit nuk respekton as ligjin ndërkombëtar, as parimet morale dhe njerëzore”. Katari, i cili ka ndërmjetësuar negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, bëri thirrje për një “hetim urgjent ndërkombëtar”. Diplomacia e Emirateve kërkoi “vendosjen e hetuesve të pavarur të OKB-së për të hetuar shënjestrimin e vazhdueshëm të shkollave dhe strehimoreve të personave të zhvendosur nga forcat pushtuese izraelite”.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, tha se ishte “i tmerruar nga imazhet nga shkolla në Gaza që shërbeu si strehë (për personat e zhvendosur) dhe u godit nga një sulm izraelit me dhjetëra viktima palestineze. Ai shtoi, “Të paktën dhjetë shkolla janë shënjestruar në javët e fundit. Nuk ka asnjë justifikim për këto masakra.”. Ministria e Jashtme franceze “dënoi fuqishëm” bombardimet izraelite. “Për javë të tëra, ndërtesat e shkollave janë shënjestruar vazhdimisht, me një numër të padurueshëm viktimash civile”, vuri në dukje ministria, duke i kujtuar Izraelit se “është i detyruar të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar”.

Londra shprehu gjithashtu “tmerrin” për bombardimin e ri të shkollës, duke kërkuar një “armëpushim të menjëhershëm”. Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha: “Hamasi duhet të ndalojë së rrezikuari civilët. Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar.”. Hezbollahu libanez, një aleat i Hamasit dhe Iranit, deklaroi se “qeveria armike e ka konfirmuar në praktikë… se bisedat e saj për një armëpushim dhe caktimin e datave të reja për negociata nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra dhe hile që nuk mashtrojnë popullin palestinez, organizatat dhe frontet mbështetëse.”.

Emirati i Kuvajtit foli për “shkelje të vazhdueshme flagrante të të drejtave të njeriut”. Ministria e Jashtme tha se është “e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit të ndërhyjnë për t’i dhënë fund këtyre krimeve të urryera” kundër “popullit të pambrojtur palestinez”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: