MAQEDONI- Dy raste shpërthimesh kanë ndodhur sonte në afërsi të stacioneve policore në Kumanovë dhe Tetovë.

Sipas njoftimeve nga mediat lokale në Kumanovë, rreth orës 22.00 persona të panjohur kanë aktivizuar një mjet shpërthyes në afërsi të stacionit policor të Kumanovës.

Sipas portalit Kumanovonews, bëhet fjalë për bombë të tipit kashikara në një kanalizim në rrugën në pjesën e poshtme të stacionit policor, konkretisht afër shkollës fillore “11 Tetori”.

Nga ky shpërthim nuk ka të plagosur, por vetëm është dëmtuar një makinë. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë nuk janë deklaruar lidhur me këtë shpërthim.

Ndërsa, në Tetovë, zëdhënësi i SPB-së, Marjan Josifovski ka theksuar se është dëgjuar një shpërthim jashtë stacionit policor, ndërsa nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Por portalet lokale si Tetovasot ka informuar se një bombë është hedhur në afërsi të stacionit policor, por nuk ka pasur viktima.

Në Tetovë dhe Kumanovë, pas këtyre shpërthimeve ka pasur forca të shtuara policore, në hyrje daljet e qytetit. Ekipet policore të armatosura kanë kontrolluar makinat  dhe kanë siguruar zonën përreth stacioneve policore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb