Nga: FATMIRA NIKOLLI
TIRANE – Personi që më sulmoi iku me vrap. Unë nuk e njihja. Kisha parkuar makinën dhe po merrja kostumin e rolit nga bagazhi”. Aktori e regjisori Laert Vasili, tregon për “GSH” incidentin e së dielës në mbrëmje kur është goditur në rrugë.
Shfaqja e tij “Shembja e Shtëpisë Asher”, që shfaqet të premte, të shtunë e të diel në “Teatrin e Kukullave” në orën 19:00, është bazuar në një tregim të shkruar nga Edgar Allan Poe.
Ai tha dje se “ka qenë regjisorja Luli Hoxha që më ka kërkuar një pjesë me dy a tre personazhe dhe unë i thashë subjektin e Allan Poe. Meqë ajo e pëlqeu, e përktheva dhe e dramatizova. Është një shfaqje që e kemi bërë totalisht me forcat tona, pa asnjë sponsor”.
I pyetur pse në “Teatrin e Kukullave”, ai tha se “unë jam i angazhuar me disa projekte në Teatrin Kombëtar dhe ishte e vetmja periudhë që kisha hapësirë të lirë. Shkruam te Monika Lubonja, pasi ajo me ministren e Kulturës kanë një nismë, që ‘Teatrin e Kukullave’ ta kthejnë në skenë për të rritur në mbrëmje. Është nismë për t’u përshëndetur”.
– Pse zgjodhët këtë tregim për të vënë në skenë?
Është një tregim i shkruar më 1839-ën. Ekzistojnë shumë dramatizime. Në subjektin e veprës janë një çift vëlla e motër, trashëgimtarët e fundit të një familjeje të hershme aristokrate, të cilët vuajnë nga një sëmundje e paemërtuar ende. Në mënyrë metaforike, mbase është ngujimi që u ka ndodhur këtyre që rrinë brenda shtëpisë, autori këtu na tërheq vëmendjen sidomos për njerëzit që ngujohen brenda guaskës dhe nuk komunikojnë. Personazhet thërrasin mikun e tyre për të sqaruar situatën. Duke mos pasur asnjë kontakt me botën jashtë, normalisht zgjohet një dashuri mes tyre. Është dashuri e pakryer, se janë vëlla e motër dhe ekziston frika e incestit.
– I riktheheni incestit në skenë pas Doruntinës?
Jo, nuk është incest aty, nuk ndodh. Si pasojë e ngujimit, pa kontakt me asnjë tjetër, këta kanë kaluar përtej dashurisë vëlla e motër, është diçka më e thellë, por nuk ka incest të kryer. Njeriu që vjen, që është mik fëmijërie, ikën dhe ai, se sheh maraz, sëmundje, melankoli e trishtim.
– Natën e fundit, pas shfaqjes keni pasur një incident. Çfarë ndodhi, kush ju sulmoi?
Duke dalë nga shfaqja, morëm kostumet që t’i lanim në shtëpi e t’i kishim gati për të premten. Parkova makinën dhe duke hapur bagazhin për të nxjerrë rrobat që mora për të larë, ndjeva një hije që m’u afrua. Sipas hamendësimeve të patrullës së policisë, duhet të ketë qenë ndonjë nga këta që ruajnë rrugicat e vjedhin. Duke më parë me flokë të gjatë, mbase ka menduar se jam femër. Më kapi nga dora, e kur u ktheva të shihja çfarë po ndodhte, ai u tmerrua sepse pa mashkull. Mbase më ka njohur, s’e di. Më shtyu, më përplasi te bagazhi i makinës dhe iku me vrap. Kaloi patrulla e policisë dhe më thanë “bëj një kallëzim, që të kërkojmë kamerat e bizneseve përreth për të parë kush ishte”.
– Pra, nuk është konflikt personal, nuk e njihnit personin që ju ka sulmuar?
Jo jo, fare! Madje duhet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe alkoolit, sepse mbante erë. Nuk besoj se ka shqetësuar njeri shfaqja dhe të ketë ardhur të më ketë sulmuar mua. Nuk kam konflikt me njeri. Salla ka qenë plot tri net dhe ka pasur duartrokitje.
– Si iu përgjigjeni atyre reagimeve se ky sulm, ose lajmi për këtë sulm e kallëzimi janë bërë për marketing?
Marketing për çfarë? E vetmja përgjigje që mund të jap, është se ai që ka menduar këtë, është një mendje shumë e sëmurë. Të bësh marketing për një shfaqje duke bërë kallëzim, duke thënë se “më sulmuan”, është mendje e sëmurë. Ai, ose më ka ngatërruar me njeri, ose ka menduar që jam femër. Unë nuk e njihja dhe nuk kam konflikte të tjera.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb