SARANDË- Kreu i Partisë Demokratike në Sarandë ka mbetur i plagosur, pasi është goditur me doreza hekuri. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit, në çastin kur Hariz Mema i shoqëruar edhe nga vajza e tij e vogël si dhe një anëtari të PD-së, po lëviznin përgjatë rrugës.


Burime nga policia lokale bënë me dije se Mema është sulmuar nga dy persona, të cilët e kanë goditur atë me doreza dhe më pas me shkelma dhe grushta.


Pas goditjeve mbi Memën, agresorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ai është transportuar për në urgjencën “Stefan Mekshi” të Sarandës, ndërsa mësohet se 48-vjeçari ka marrë goditje në kokë dhe gjoks, por është jashtë rrezikut për jetën.


Sakaq, nuk dihen ende motivet se pse është goditur mbi kryetarin e PD-së. Sapo u njoftuan për ngjarjen forcat policore mbërritën në vendin ku ndodhi plagosja dhe nisën hetimet për kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar tashmë.

PD: DËNOJMË SULMIN BANDITESK, AUTORËT TË VIHEN PARA DREJTËSISË
Partia Demokratike ka dënuar sulmin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku mbeti i plagosur kreu i kësaj dege, Hariz Mema. Në një deklaratë drejtuar mediave, PD-ja i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorët.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin banditesk ndaj kryetarit të Degës së Sarandës z. Hariz Mema. Ne i kërkojmë autoriteteve të rendit dhe prokurorisë të veprojnë pa asnjë vonesë për arrestimin e autorëve të këtij krimi të shëmtuar dhe për vënien e tyre para drejtësisë si dhe zbardhjen e motiveve dhe porositësve të këtij akti të ulët banditesk. Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë z. Mema dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë njerëzor dhe politik me të dhe familjen e tij. Dhunuesit dhe porositësit e këtij sulmi do të japin llogari deri në një.”, citohet në reagimin e PD-së.

(ed.me/BalkanWeb)

Etiketa: