Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në fshatin Dukagjin i Ri. Një i ri dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip ‘Audi’.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kërkim është shpallur shtetasi Aleksandër Senaj, ndërsa pas hekurave ra drejtuesi i makinës që iu bë atentati. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se Sebastjan Mallkuqi (Ajazi) përfundoi pas hekurave, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasi municioni luftarak.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan shtetasin S. M. (A)., 30 vjeç, banues në Mamurras, si dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. S., alias A. N., (A. B.), 29 vjeç, banues në fshatin Dukagjin i Ri. Shtetasi A. S., alias A. N., (A. B.), ditën e djeshme, në rrugën e fshatit Dukagjin i Ri, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M. (A) dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi municioni luftarak.”, sqaron policia.
(BalkanWeb)