NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
500 gr bizele
1 qepë e vogël e thatë
1 tufë qepë të njoma
1 thelpi hudhër
1 karrotë
2 domate mesatare
50 ml pure domate
Kripë, piper i zi
1 tufë koper
1 kokërr vezë
30 gr miell

Pergatitja

Fillimisht në një tigan të thellë vendosim vajin e ullirit, qepën e thatë të prerë në kubikë të vegjël, hudhrën dhe qepët e njoma të prera në unaza 0.5 cm së bashku me bishtat. I kaurdisim së bashku derisa qepët të zbuten pak, më pas shtojmë karrotën të prerë në kubikë të vegjël. I kaurdisim për pak minuta duke shtuar më pas domatet të qëruara nga lëkura dhe të pastruara nga farat. E lemë domaten 5 minuta në zjarr dhe më pas shtojmë purenë e domates dhe një majë luge sheqer. E lemë në zierje edhe 5 minuta të tjera duke shtuar nga pak lëng perimesh. Shtojmë më pas bizelet, kripë dhe piper dhe i lemë të gatuhen për 8-10 minuta.

Ndërkohë në një tas rrahim 1 kokërr vezë me pak kripë dhe pak miell dhe pasi të kenë kaluar 10 minuta nga zierja e bizeleve shtojmë në tenxhere lugë – lugë të vogla nga brumi me vezë dhe miell. E lemë dy minuta në zjarr dhe më pas shtojmë koper të grirë imët dhe e servirim supën me bizele të ngrohtë.

Shënim: Brumin nëse dëshironi mund ta bëni edhe pak më të fortë si një brumë byreku duke e vendosur më parë në frigorifer për 30 minuta. Më pas e grijmë në rende nga ana më e trashë direkt në tenxhere.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: