Nga Zonja Katerina
Përbërësit

400-500 gr mish të grirë
¾ filxhan çaji oriz, 1 kokërr qepë, 1-2 thelpinj hudhër, 1 tufë majdanoz, 2-3 kokrra patate, 2-3 karrota, 1-2 kunguj të njomë
3-4 lgj vaj ulliri, 1 kokërr limon, 1 koncentrat pule, Kripë, piper.

Përgatitja

Në një enë vendosim mishin e grirë, qepën e grirë hollë, hudhrën gjithashtu të grirë imët, gjysmën e sasisë së majdanozit, gjysmën e sasisë së orizit, 2 lugë vaj, 2 lugë ujë, kripë dhe piper. I trazojmë mirë të gjithë përbërësit dhe e punojmë mirë brumin e qofteve. E lemë më pas brumin të pushojë të paktën për 30 minuta. Më pas realizojmë qofte të rrumbullakëta sa një kokërr arrë.

Në një tenxhere hedhim 1 litër ujë të vlojë dhe shtojmë qoftet një e nga një. I mbulojmë me kapak dhe i lemë të ziejnë në temperaturë mesatare për 10 minuta, më pas shtojmë pjesën tjetër të orizit (rreth 1 filxhan kafeje), e përziejmë pak dhe i lemë qoftet me lëng të ziejnë dhe për 10 minuta të tjera.

Ndërkohë në një tenxhere tjetër vendosim perimet e pastruara dhe të prera në pjesë të vogla. I mbulojmë në masë të tyre me ujë. I spërkasim me pak kripë dhe i lemë të ziejnë derisa të zbuten. Më pas marrim disa patate, kunguj dhe karrotë (pak më shumë se perimet e tjera) dhe i kalojmë në blender duke i kthyer në pure. Këtë masë kremoze e shtojmë tek supa me qofte dhe oriz. Ulim temperaturën e sobës dhe e lemë supën dhe për 10 minuta të tjera në temperaturë të ulët. Në fund shtojmë 1-2 lugë lëng limoni dhe majdanoz të grirë imët.

E servirim supën me qofte duke e shoqëruar dhe me perimet e ziera të spërkatura me pak vaj ulliri, kripë, piper dhe lëng limoni.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: