Menjëherë pas ekzekutimit të “Himnit të Flamurit”, ka startuar në “Elbasan Arena” finalja e Superkupës së Shqipërisë, ku përballen Partizani kampion dhe Kukësi si fitues i Kupës. Trajneri italian i kryeqytetasve ka zgjedhur të luajë me skemën 3-5-2, të njëjtën skemë që përdori dhe në sfidën e dytë ndaj moldavëve të Sherif Tiraspolit, me ndryshimin e vetëm që krahun e djathtë nuk e mbulon më Ibrahimi i larguar te Prishtina, por Uilliam Kordeiro, i ardhur pikërisht nga Kukësi.

Nga ana tjetër, trajneri Shpëtim Duro ka bërë ndryshime të shumta në formacionin e Kukësit, shkak edhe largimeve të bollshme nga verilindorët. Në portë do të jetë Avdyli, ndërsa Musta, Kotobelli dhe Gavazaj janë gjithashtu emra që pritet të vijojnë si titullarë edhe në vazhdim.

Ndeshja nis e vrullshme me kampionët që kërkojnë të imponohen dhe e bëjnë shpejt këtë. Fillimisht rrezikojnë pas një gjuajtjeje të mirë të Asanit, që neutralizohet nga Avdyli, ndërsa në minutën e 6-të vjen goli i epërsisë me autor Esat Malën. Partizani dominon minutat e para, ndërsa më pas nis të tërhiqet, duke i lënë territor Kukësit me shpresën për ta kapur kundërshtarin në kundërsulm.

Por kjo nuk funksionon, pasi Kukësi arrin të shfaqet rrezikshëm dhe të shënojë me Emiliano Mustën, që i shpëton pozicionit jashtëloje dhe pasi driblon edhe Alban Hoxhën, shënon me portën e boshatisur duke barazuar shifrat në minutën e 39-të. Partizani kërkon të reagojë dhe Mala ka mundësinë e golit të dytë, por i vetëm përballë Avdylit, e godet këtë të fundit në trup. Mbyllet kështu 1-1 pjesa e parë.

Pjesa e dytë nis me tjetër ritëm dhe është Kukësi ai që imponohet, ndonëse Duro humbet Rrocën për dëmtim. Madje nënkampionët i shkojnë fare pranë golit me Ethemin, që i vetëm përballë Hoxhës trondit traversën, ndërsa në minutën e 56-të është Emiljano Musta që realizon një gol të shkëlqyer me goditje dënimi, duke lënë të shtangur kapitenin e kuq dhe duke çuar Kukësin në epërsi. Partizani tronditet dhe nuk arrin të prodhojë asgjë, ndërsa Kukësi me vertikalizimet është mjaft i rrezikshëm.

Në minutën e 75-të Maliqi me portë bosh e çon topin mbi tra, duke shpërdoruar golin për ta hedhur rivalin në tapet. Partizani zgjohet atëherë kur te Kukësi po bëheshin gati për festë, kur Braun, që zuri vendin e Solomon, shënon në të 88-ën në tentativën e dytë, pasi goditjen e parë me kokë Avdyli arriti ta priste, por nuk kontrolloi dot topin. Kështu, takimi kalon në shtesën 30 minutëshe.

Goli i parë me fanellën e kuqe për xhamajkanin Braun duket se është ogur i mirë dhe për Partizanin, pasi kryeqytetasit shpërthejnë në gola menjëherë sa nis shtesa e parë prej 15 minutash dhe me të njëjtin autor Brajan Braun: minuta e 94-ët, aksion fantasik i kampionëve me Trashin që harkon në hyrje të zonës për xhamajkanin, që kontrollon dhe me të majtën gjuan rreptë duke thyer Avdylin në shtyllën e parë. Por Braun nuk ndalet pasi 5 minuta shënon golin e katërt për të tijtë dhe kompleton tregolëshin personal, kur çinari shmang Kotobellin dhe pason në zonë për Bardhin, që me “vellon” e tij lë topin të shkojë te Braun, i cili me të djathtën godet saktë dhe vulos rezultatin 4-2, duke çmendur në festë tifozërisë kryeqytetase.

Kukësi vuan goditjet e marra dhe as në shtesën e dytë nuk arrin të reagojë, ndërsa Partizani menaxhon epërsinë e bollshme me qetësi, ndërsa në fushë shfaqen vetëm djemtë e Lerdës, pasi Kukësi praktikisht duket i dorëzuar. Deri në minutën e 120-të nuk do të ketë më zhvillime dhe Partizani meriton kështu Superkupën e dytë në histori, duke vijuar rrugën e trofeve të nisur me titullin kampion në maj
FORMACIONET

PARTIZANI: Hoxha, Bitri, Boldor, Belica, Kordeiro, Mala, Telushi, Broja, Trashi, Asani, Solomon.
Trajner: Franko Lerda.

KUKËSI: Avdyli, Teqja, Musta, Maliqi, Kotobelli, Musolli, Rroca, Limaj, Ethemi, Gavazaj, Shkurtaj.
Trajner: Shpëtim Duro.

Gjyqtarë:
Eldorian Hamiti, Ilir Tartari, Nertil Bregasi, Laver Alla(linje), Kreshnik Cjapi(linje), Ridiger Çokaj(i katërt).

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb