Sfida më e rëndësishme e “Ligue 1”, Nice kundër PSG, nuk surprizojë vetëm në aspektin e rezultatit por edhe në ngjarjet që pasuan njëra-tjetrën në fushën e lojës.

Humbja 3-1 e kampionëve në fuqi të PSG-së nuk u kapërdi nga futbollistët kryeqytetas të cilët humbën kontrollin gjatë lojës.

Në të gjitha rastet pothuajse protagonist ishte Mario Balotelli. Italiani fillimisht zhbllokoi shifrat në minutën e 26-të me një goditje të bukur nga jashtë zone. Më pas bëri maksimumin për të acaruar kundërshtarët, raporton “SPORTBible”.

Në minutën e 60-të kur rezultati shënonte 2-0, “SuperMario” vallëzonte me topin për të humbur kohë. Një situatë që nuk u pëlqye aspak nga kapiteni i PSG-së Blase Matuidi që nuk përtoi t’a hidhte në tokë Mario-n.

Kjo ishte vetëm një nga rastet pasi afër fundit limitet e ashpërsisë do tejkaloheshin nga Thiago Motta e Angel Di Maria për t’u ndëshkuar menjëherë me karton të kuq. Paris SG mbyll në këtë mënyrë takimin me dy lojtarë më pak.

Po kjo nuk ishte e keqja e vetme. Kampionët në fuqi shohin kështu t’ju largohet nga duart titulli kampion pasi Monaco ndodhet në krye me tri pikë më shumë ndërkohë që ka edhe një takim për të luajtur. Nga ana tjetër për parisienët as vendi i dytë nuk është i sigurtë. Nice e Balotelli-t gjendet në kuotën e 77 pikëve, 3 më pak se PSG.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb