KRUJË – Policia e Shtetit ka goditur mbrëmjen e sotme në zonën e Krujës një grup kriminal që trafikonte lëndë plasëse dhe armë zjarrit. Pas dy muajsh përgatitjeje, Policia realizoi operacionin e koduar “Dinamiti” duke arrestuar në flagrancë katër persona dhe duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme eksplozivësh dhe armësh.

Gazetari Spartak Koka, duke iu referuar Policisë, njoftoi se u arrestuan: Fatos Mesi, 23 vjeç; Lulzim Mesi, 26 vjeç; Nezir Mesi, 28 vjeç, që të tre lindur dhe banues në Krujë si dhe Marjan Karaj, 34 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Vlorë.

Gjatë arrestimit të tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës:Tre armë zjarri kallashnikovë; 20 arka me lëndë plasëse dinamit ose 2000 kallëpe me peshë totale 400 kg; 298 kuti me kapsolla elektro-detonatore, gjithsej 5960 kapsolla; 8 kuti me kapsolla detonatore, gjithësej 1800 copë dhe 100 metra fitil zjarr përcjellës.

Akuzat që bien mbi të arrestuarit janë për “trafikim të armëve dhe municionit” si dhe “trafikim të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.” Dosjet e tyre tashmë i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb