Ish-deputeti i PD Astrit Patozi shprehet se politikanët që kanë mbajtur postet më të larta shtetërore në vend janë super të organizuar në kaosin e luftës së tyre.

Patozi thekson se tre prej tyre kanë nisur luftën personale, secili për hesap të tij. Për Patozin, kemi një kaos që prodhohet kryesisht nga tre politikanë dhe një popull që është i shpërqendruar ndaj këtij realiteti të hidhur.

Astrit Patozi po ashtu vlerëson se në prapaskenë po përgatitet reforma zgjedhore në mënyrë që asgjë të mos ndryshojë.

Postimi i Astrit Patozit:

TË SUPERORGANIZUAR NË KAOSIN E LUFTËS SË TYRE

Vini re sa të organizuar janë në spontanitetin dhe kaosin e luftës së egër midis tyre!

I pari ka vendosur ta mbrojë kushtetutën me trupin e vet, qoftë edhe i vetëm në një betejë titanike, ku është zbuluar se palaçot ndërkombëtarë janë duke flirtuar me armikun.

I dyti na thotë të ëndërrojmë mrekullinë, që do të shpërthejë në “Shqipërinë që duam”, duke na tundur para syve flamurin e rreckosur të një drejtësie të munguar, e cila do të vonojë, por nuk do të harrojë.

Ndërsa i treti e ka marrë më me nge, pasi është duke na intriguar të përfytyrojmë “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit në versionin digjital, sepse i kanë premtuar se ditë më të mira paskëtaj do të vijnë.

E ndërkohë që populli nuk di ku të përqëndrohet më parë prej këtij rivaliteti të ashpër, në komisionin e Damianit dhe të Rudinës, që asistohet fort nga ambasadori Borchardt, po i jepen duart e fundit debatit për seksin e engjëjve, në mënyrë që asgjë thelbësore të mos ndryshojë në Republikën tonë sovrane.

Që do të thotë se me reformën e re zgjedhore, si plotësim i njërit prej kushteve të Bundestagut, të garantohet për të paktën edhe 6 vjet të tjera riprodhimi normal i përbindshave politikë, që herë pas here na ftojnë të përleshemi me njëri-tjetrin për të drejtat e tyre kushtetuese, kur ia shkel kundërshtari.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb