TIRANE – 28-vjeçari Ilir Kupa, i njohur për arratisjen spektakolare nga burgu i Trikallas në Greqi, drejtonte një grup të mirëorganizuar kriminal, që ka kryer grabitje të shumta në Shqipëri dhe jashtë vendit. Një vit pas supergrabitjes në një prej qendrave më të njohura tregtare në Tiranë, policia ka mundur të arrestojë tre prej “babagjyshëve” grabitës që u futën të armatosur në një argjendari dhe arritën të merrnin një sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Babagjyshët” kanë rënë në pranga tre persona, dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Sipas policisë, kreu i grupit kriminal mendohet të jetë shtetasi Ilir Kupa, i arratisur nga burgu i Trikallas në Greqi, në mars të vitit 2013. Ilir Kupa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave, mendohet të jetë edhe ideatori i grabitjes spektakolare në Tiranë.

Por ky grup kriminal dyshohet edhe për vjedhje të tjera në qytete të ndryshme të vendit por edhe jashtë kufijve, kryesisht në Maqedoni. Pjesë e grupit të grabitësve ka qenë edhe shtetasi Miljan Elezi, i cili u gjet i pajetë pak kohë më parë në Dibër të Madhe në Maqedoni.

Zv/Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Altin Qato bëri të ditur se shtetasit e arrestuar janë: Agustin Sula, Hajdar Sefa, dhe Ilir Kupa i cili ndodhet në qeli që prej muajit janar të këtij viti. Sula dhe Sefa nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi rezultojnë të dënuar apo me precedentë penalë.

“Në datë 16.12.2014, pas një pune disa mujore, të mirorganizuar me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda, Drejtorisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorive të Policisë në Qarqet  Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër, Shkodër dhe Lezhë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “BABAGJYSHET”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të kryera nga një grup i organizuar kriminal si dhe arrestimi i 3 prej anëtarëve të këtij grupi. Policia ka arrestuar shtetasit:

1.Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i  dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për vepren penale të vjedhjes me armë me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi per vjedhje me armë.

2.Hajdar   Sefa (Xaka),  30 vjeç,  banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shendetit.

Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal.

Janë shpallur në kërkim pjesëtarët e tjerë të grupit  kriminal  dhe konkretisht:

  • F.P., 28 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
  • D.K., 36 vjeç, banues në Shkoder, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
  • S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin.
  • J.Q., 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje.

Një nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, A.T., është vrarë në muajin korrik 2014 në Dibër të Madhe gjatë grabitjes me armë të dy argjendarive.”- bëri të ditur Qato.

Gjatë orëve të mbrëmjes në pranga ra edhe shtetasi tjetër i shpallur në kërkim, Julian Qerushaj, 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më parë për vjedhje.

GRABITJET

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë “ky grup kriminal, gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka kryer vjedhjet  e mëposhtme:

1.Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A.B.

2.Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S.R.

3.Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë Krujës,  kanë  vjedhur  me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B.

4.Në datë 18.12.2014 në Fushë Prezë kanë vjedhur me armë automjetin  në pronësi të  shtetasit SH.K., duke e plagosur rëndë atë.

5.Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të  shtetasit A.S.

6.Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë- Milot.

7.Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregetare TEG.

8.Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari.

9.Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambjentet e banimit dhe punës së këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar:

  • 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarake, me mbishkrimin 1959;
  • 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë;
  • 1 krehër me 15 fishekeë pistoletë;
  • 1 peshore elektronike,me mbishkrimin “TANITA” qe sherbente per peshimin e sendeve të floririt dhe të argjenta të vjedhura ne argjendari;
  • 1 pajisje kompjuterike lap top;
  • 6 copë varëse floriri të madhësive të ndryshme;
  • 8 copë unaza floriri te madhesive te ndryshme;
  • 1 copë varëse kryq;
  • 3 byzylykë dore;
  • 28 telefona Iphone;
  • 19 ora dore të markave të ndryshme;
  • Një sasi bizhuteri argjendarie;
  • Dy manekine me rroba kamuflazhi ushtarake;
  • Dy maska material plastik me flokë ngjyrë të bardhë;
  • Një palë doreza me material rrobe.
  • 8 karta sim të kompanive të ndryshme;
  • Dokumente identifikimi të falsifikuara me gjeneralitete të rreme;

Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë në vazhdimesi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të kryera nga ky grup kriminal. Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale të “Vjedhje me armë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nent 140, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

SUPERGRABITJA E BABAGJYSHEVE

Supergrabitja në qendrën tregtare ndodhi në 24 dhjetor 2013, rreth orës 17:25 minuta. Katër persona, të veshur si babagjyshë të Vitit të Ri, hynë të armatosur me kallashnikovë në qendrën tregtare, duke grabitur një dyqan argjendarie. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë mbushur thasët me bizhuteri dhe u larguan nga vendngjarja, me një automjet të tipit “Benz”. Pak minuta më vonë, autorët e grabitjes e braktisën mjetin në rrugën e Surrelit. Ata i vunë zjarrin dhe u larguan në këmbë, duke përfituar edhe nga errësira. Ngjarja ndodhi në më pak se 3 minuta dhe grabitësin vepruan në qetësi të plotë dhe pa shkaktuar asnjë incident.

ARRESTIMI I ILIR KUPESilir-kupa
Ilir Kupa, 28 vjeç nga Fushë-Kruja i arratisur nga burgu i Trikallas, Greqi në mars të 2013, ra në prangat e policisë së Tiranës në muajin janar të këtij viti. Ilir Kupa së bashku me Marian Kolën, 36 vjeç dhe Klement Çalën, 25 vjeç nga Elbasani, ishin tre shqiptarët që mundën t’u shpëtonin forcave të policisë greke gjatë operacionit ku u vranë të burgosurit Admir Murataj 41 vjeç dhe Edison Lika 25 vjeç. Ai u arratis nga burgu i Trikallas në 22 mars 2013  bashkë me 10 të dënuar të tjere, pasi plagosën 2 roje burgu.

Që në kohën kur ai u arrestua në Tiranë, u ngritën dyshime se Ilir Kupa ishte njëri nga 4 personat të cilët në mënyrë spektakolare, të veshur si babagjyshë të vitit të ri, grabitën me armë një argjendari brenda qendrës tregtare TEG.

Arrestimi i babagjyshëve grabitës, Rama: Përgëzime policisë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas arrestimit të supergrabitësve të cilët mundën të grabisin rreth një vit më parë një argjendari në një qendër tregtare falë veshjes si babagjyshë.

Teksa përgëzon policinë, Rama shkruan se ka ikur koha e të ikurve në drejtim të paditur.

“Përgëzime policisë për arrestimin e grabitësve që morën famë si “babagjyshat e Vitit të Ri”. Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur”, shkruan Rama.

Tahiri: Babagjyshat? Jemi në krye të detyrës
Pas kryeministrit Rama edhe kreu i Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri ka vrapuar të përgëzojë Policinë e Shtetit dhe të tregojë se ky është një tjetër rast kur blutë tregojnë se janë në krye të detyrës.

“Babagjyshat? Një tjetër rezultat që dëshmon se Policia e Shtetit është plotësisht në krye të detyrës”, thotë ai.

Tahiri paralajmëron më tej se “Kush merr guximin të bëjë krim, duhet të presë ditën për të dalë para drejtësisë. Shqipëri e sigurtë, bashkë me qytetarët e ndershëm. Bravo”.

(er.nu/m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: