TIRANE – Kategoria Superiore mbyll fazën e parë të saj me javën e nëntë që do të zhvillohet këtë fundjavë, ndërsa ka shumë stola që ziejnë dhe janë nën presionin e shkarkimit në varësi të rezultatit të 90-minutëshit të radhës. Po nëse te Flamurtari apo Korabi ka zëra për ndërrime trajnerësh, skuadra të tjera e kanë bërë fakt ndryshimin më herët dhe kur bëhet fjalë për shkarkime trajnerësh, kryefjala e këtij edicioni futbollistik është Teuta.

Durrsakët e nisën kampionatin nën drejtimin e italianit Çezare Bexhi, i cili u projektua për të paktën deri në fund të sezonit, por aventura e ish-zëvendëstrajnerit të Askolit nuk zgjati më shumë sesa 4 javë, teksa ai u largua pas një oferte të ardhur nga Lids Junajtid. Në stolin e durrsakëve do të vinte një tjetër trajner nga Apeninet, Nikola Çevoli, që e mori drejtimin e ekipit në përballjen me Skënderbeun në javën e 6-të, ku u mund minimalisht 1-0. Pas fitores me Luftëtarin në Durrës, Çevoli dhe Teuta bien në Shkodër dhe presidenti Hasanbelliu vendos të shkarkojë trajnerin e dytë në 720 minuta kampionat, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë tekniku i ri i durrsakëve.

Tjetër skuadër që ka ndryshuar trajner së fundmi ka qenë edhe Laçi. Braziliani Marselo Troisi u largua nga kurbinasit pas 5 javëve kampionat, ku nuk kishte mundur të merrte asnjë fitore, ndërsa Pashk Laska riktheu në stol Ramadan Ndreun, që e mori drejtimin e ekipit në javën e gjashtë kundër Partizanit. Dhe meqë jemi te Partizani, të kuqtë gjithashtu kanë ndërruar trajner. Italiani Adolfo Sormani u bë timonier i kryeqytetasve në qershor dhe së bashku me të kuqtë kaluan një aventurë pozitive në Kupat e Europës. Por, në kampionat rezultatet munguan dhe më shumti situata e brendshme në ekip u bë e padurueshme pas përplasjeve të njëpasnjëshme mes stafit italian dhe lojtarëve.

Presidenti Demi zgjodhi kështu të largojë Sormanin dhe të rikthejë Starovën në krye të Partizanit dhe duket se ka pasur të drejtë, teksa me “Bobin” të kuqtë kanë marrë 9 pikë në 3 ndeshje dhe janë 2 pikë poshtë Skënderbeut, me të cilin do të ndajë vendin e parë në kryesfidën e javës së 9-të.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: