Në kryeqytet, Partizani priste Bylisin me të kuqtë që kërkonin suksesin për t’u futur me moralin e duhur në javën e derbit. Një sfidë që nisi mes panikut për shkak të lëkundjeve të forta të tërmetit që goditën Tiranën dhe që detyruan tifozët të dilnin nga stadiumi. Loja është ndërprerë për disa minuta derisa gjendja u qetësua. Më pas të dyja skuadrat kanë kërkuar të dominojnë njëra-tjetrën, por te Partizani loja vijon të çalojë. Pjesa e parë do të mbyllet në barazim, ndërsa e dyta do të jetë më e bukur, pasi do të luhet hapur.

Të parët do të kalojnë në epërsi të zotët e shtëpisë me një autogol të Peposhit pas inkursionit të Trashit, me këtë të fundit që ndan gëzimin me trajnerin Lerda si për të sheshuar zërat e një përplasjeje mes tyre. Duket se Partizani do sigurojë fitoren e tretë në këtë kampionat, por Bylisi nuk dorëzohet dhe do të barazojë në kohën shtesë me Ntepe, që shfaqet i vetëm në zonë duke shtyrë me lehtësi topin në rrjetë. Për të dyja ekipet, ky ishte barazimi i parë në këtë kampionat, teksa të dyja gjenden në kuotën e shtatë pikëve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb