Kryendeshja e javës së 10-të të Kategorisë Superiore i ka kënaqur të gjithë ata që e kanë ndjekur atë pasi ka qenë një sfidë e luftuar me antagonizëm deri në sekondat e fundit, ndonëse në fund nga ka prodhuar gola duke bërë që Partizani dhe Kukësi të ndajnë nga një pikë në këtë 90 minutësh.

Pjesa e parë ka më shumë ritëm pasi të dyja skuadrat kërkojnë të befasojnë kundërshtarin për të marrë avantazhin. Partizani ka rastin më të mirë në këtë fraksion loje kur Erald çinari trondit traversën e Dashamir Xhikës në minutën e 11-të të takimit, ndërsa për miqtë është Abazaj që shpërthen drejt zonës, por ndalet vetëm nga dalja e portierit Hoxha në minutën e 38-të.

Pjesa e dytë do ta shohë Partizanin më këmbëngulës dhe më të orientuar drejt sulmit. Kukësi vuan shumë në mesfushë dhe kampionët fitojnë thuajse të gjithë topat e parë. Tjetër rast i artë për çinarin në të 51-ën, por Xhika ka ndalur planzhonin me kokë të shkodranit duke i mohuar një gol të sigurt. Në të 61-ën vjen momenti i vetëm për moviolë i takimit. Rroca, i ndëshkuar më herët me të verdhë godet me gju portierin Hoxha. Protestojnë lojtarët e Partizanit, që kërkojnë minimalisht të verdhën e dytë për mesfushorin e Kukësit, por nuk është i këtij mendimi kryesori Kridens Meta.

Vonesat e lojës së Kukësit tërbojnë Franko Lerdën me trajnerin italian që e humbet durimin dhe i kërkon homologut të tij, Shpëtim Duros, që t’u flasë lojtarëve të tij për të mos simuluar më, kërkesë që e habit Duron, por jo Metën, i cili ndëshkon teknikun e kuq me kartonin e verdhë.

Në minutën e 80-të shfaqet Kukësi. Rroca kërkon të gjejë shtyllën e dytë, por Alban Hoxha nuk befasohet dhe mbron kuadratin. Partizani shtyn deri në fund, Xhika bëhet sërish fenomen në goditjen e hidhur të Kordeiror, me topin që i përplaset vetëm pak para fytyrës. Pavarësisht dëshirën së kampionëve në fuqi, Kukësi mbahet mirë dhe arrin të shkëpusë një barazim nga një transfertë vërtet e vështirë, duke plotësuar dhe objektivin minimal që kishte trajneri Duro para kësaj sfide. Tashmë verilindorët ngjiten në vendin e pestë me 15 pikë.

Partizani nga ana tjetër humbet një mundësi për t’u shkëputur nga ndjekësit, por gjithsesi ruan kryesimin edhe pas javës së 10-të, duke qëndruar i vetëm me 18 pikë dhe duke lënë pas shpine Bylisin dhe Tiranën me nga 17 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb