Luftëtari i Gjirokastrës ka arritur të marrë një fitore të madhe kundrejt Teutës së vendit të dytë, me bluzinjtë që ruajnë hapin e Tiranës dhe i shkëputen gjithnjë e më shumë dy vendeve të fundit që të dërgojë një kategori më poshtë.

Në parballjen e zhvilluar në stadiumin “Gjirokastra”, diferencën e ka bërë një gol i shënuar nga Donald Rapo, që në minutën e 32-të ka shtyrë me kokë topin e mbetur në zonë pas një këmbënguljeje të të zotëve të shtëpisë.

Teuta ka pasur të gjitha mundësitë që të rikthehente fillimisht barazpeshën e më pas të niste ofensivën për 3 pikët, kur në minutën 72-të Dunga shkakton një 11 metrësh ndaj Bicajt. Ekzekuton Progni, por gjuajtjen e dobët të tij e neutralizion pa asnjë problem Ruçi, që ruan portën e paprekur.

Bregdetarët këmbëngulin, por shfaqen sterilë në zonën gjirokastrite dhe nuk arrijnë dot të shmangin humbjen e parë që pas javës së shtatë, kur u mposhtën në kryeqytet nga Partizani, më pas një seri e gjatë prej 15 ndeshjesh pa humbje për bregdetarët, që u thyen sot.

Luftëtari nga ana e tij, ngjitet në kuotën e 25 pikëve, 3 më pak sesa Tirana e vendit të shtatë dhe 6 më shumë sesa Kastrioti i vendit të parafundit.

Superliga/ Luftëtari-Teuta, trajnerët publikojnë formacionet

Nis pas pak çastesh në stadiumin “Gjirokastra” takimi mes Luftëtarit dhe Teutës, sfida e parë e ditës së sotme, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore në futboll.

Trajneri Julian Ahmataj i ka besuar të njëjtit formacion me të cilin luajti në Tiranë, por kësaj radhe nuk ka në dispozicion mbrojtësin Rustem Hoxha, të skualifikuar.

Nga ana tjetër, gjithashtu për skualifikim, Bledi Shkëmbit i duhet të bëjë pa kapitenin Osmani, teksa në vend të tij do të luajë nga minuta e parë Ditmar Bicaj.

Luftëtari: Ruçi, Demo, Rapa, Koconis, Neziri, Ramadani, Aleksi, Rapo, Fili, Xhekson, Dunga.
Trajner: Julian Ahmataj

Teuta: Hidi, Frashëri, Bicaj, Arapi, Hakaj, Sidibe, Traore, Kallaku, Kamara, Progni, Bushiç.
Trajner: Bledi Shkëmbi

Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Nertil Bregasi, Gernat Qirici, Kreshnik Cjapi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb