Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar regjisori Gëzim Kame, i cili sikurse të ftuarit e tjerë në program rrugëtoi nëpër kujtime me anë fotografive duke bërë një rrëfim për jetën e tij profesionale, por edhe atë private.
Fëmijëria e regjisorit ka qenë shumë e bukur. Gjatë bisedës në studio ai foli për këtë periudhë, por edhe për marrëdhënien e ngushtë që ka patur me prindërit e tij. Kame tha se dëshira e babait të tij ka qenë që ai të bëhej mjek, madje edhe e drejta e studimit si fillim i doli për mjekësi pasi i ati e kishte zgjedhur, por më pas ai e pranoi dhe e mbështeti të birin.

Kame i lumtur tha se fatmirësisht nënën, 93 vjeçe, e ka ende pranë vetes dhe gëzon shëndet të plotë.

Regjisori dhe bashkëshortja e tij kanë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Ai tregoi se ata e dërguan djalin e tyre, aktorin Gent Kame në Itali me studime për shkenca politike, por ai i kishte ndërprerë pasi dëshira e tij ishte të ndiqte rrugën e babait, atë të artit.
Nga Italia, Genti shkoi në Francë pasi fitoi konkursin në një nga shkollat më të njohura franceze, ku mori vlerësime të mëdha për talentin e tij.
Ata, atë e bir, tashmë kanë ngritur një Akademi, për të ndarë me të tjerët eksperiencën që kanë për teatrin dhe filmin.

Kame foli në program edhe për lidhjen e bukur që ka me vajzën e tij, e cila ka ardhur në jetë rreth 11 vite e gjysmë pas vëllait Genti. “E kam të veçantë. Ka një merak të jashtëzakonshëm për ne”, tha ai mes emocionesh.
Moment shumë i bukur në studio ishte kur në program u shfaq një videomesazh nga dy mbesat e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: