Futbollisti i njohur Ansi Agolli, ish-kapiten i Kombëtares shqiptare, ishte i ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel.
Me anë të fotografive ai rrugëtoi nëpër kujtime dhe si rrallë herë bëri një rrëfim për jetën e tij profesionale, por edhe për atë private. Ai tregoi se personi që e ka shtyrë drejt sportit ka qenë babai i tij, i cili ka qenë i apasionuar pas futbollit.
Ansi gjatë bisedës tregoi edhe historinë e emrit të tij. Ai tha se gjyshi i tij quhej Hasan dhe tradita e donte që ai trashëgonte emrin e tij, por babai i futbollistit si një njeri paska avangardë për kohën, zgjodhi t’ia vendoste Ansi, frymëzuar edhe nga sportisti gjerman Hansi Muller.
Kur në studio u shfaq një foto me Cristiano Ronaldon, realizuar në fushë gjatë ndeshjes Shqipëri-Portugali, futbollisti e kujtoi atë moment si të bukur por edhe pak zhgënjyes pasi skuadra shqiptare pësoi gol në minutën e fundit.
Ndërkohë një tjetër moment që ka mbetur gjatë në memorien e futbollistit, është ndeshja e famshme me Serbinë në Beograd, ku përveç peripecive që skuadra shqiptare kaloi atje, në kthim avioni pësoi disa turbulenca shumë të mëdha, nga të cilat gjithë ekipi u shqetësua jo pak, por pas zbritjes në Tiranë, pritja për ta ishte madhështore.
Ansi Agolli tashmë është zhvendosur në Amerikë, ku nga 2019 deri në 2021 ka luajtur me New York Cosmos. Ai ka hapur edhe Akademinë e tij në Amerikë, ku për momentin janë të regjistruar rreth 250 veta. Ansi tha se në planet e tija është që Akademinë ta zgjerojë jo vetëm në numër, por ta hapë në vende të ndryshme. Një moment i bukur për të ishte kur në program u shfaq një videomesazh nga miku i tij futbollisti Isli Hidi, i cili i dedikoi disa fjalë të bukura zemre.
Gjatë bisedës Ansi foli edhe për familjen e tij të bukur që ka krijuar. Ai dhe bashkëshortja e tij janë bekuar me një djalë.