Jasir Asani është kthyer në njeriun simbol të Kombëtares, golat e tij kanë qenë të mrekullueshëm duke bërë për vete jo vetëm tifozët, por dhe shumë klube të rëndësishme që tashmë kërkojnë shërbimet e tij. Së fundmi, në një intervistë për mediat italiane, Asani ka pranuar se Serie A e josh shumë, por ka oferta konkrete edhe nga kampionatet e tjera në Evropë:
“Jam i bindur se nëse në Tiranë do të kishim një stadium si Camp Nou, shqiptarët do ta kishin mbushur plot. Jemi një popull i çmendur për futboll. Në Shqipëri marrim një dashuri të jashtëzakonshme nga tifozët. Në rrugë na quajnë heronj dhe mesazhet në rrjetet sociale i kemi plot. Ndonjëherë humbas në Instagram edhe mesazhet e prindërve, aq shumë janë. Mendoja se nuk do më thërrisnin më në kombëtare, por ja ku jam, në moshën 28-vjeçare. Protagonist në një Shqipëri që është më e fortë se kurrë. Sylvinho më ndryshoi jetën, para tij asnjë trajner i kombëtares nuk më konsideroi kurrë. Kam lindur në Shkup, Maqedonia e Veriut më kërkoi, por unë refuzova. Jam ndjerë gjithmonë shqiptar. Akoma e mbaj mend telefonatën e parë me Sylvinhon. Më telefonoi pak orë para një ndeshje dhe isha aq i lumtur sa në atë sfidë shënova një tripletë”, u shpreh Asani duke shtuar:
Kam oferta nga Italia, Gjermani, Arabia dhe Spanja, në janar pres të transferohem në një prej këtyre ligave. Por, si çdo shqiptar edhe unë jam i fiksuar me Serie A. Të gjithë në Shqipëri përveç mbështetjes për një ekip shqiptar, bëjnë tifo edhe për një klub italian. Goli ndaj Polonisë ishte i mrekullueshëm. Mund ta kem parë edhe një mijë herë të tjera. Në një moment gjatë ndeshjes, Szczęsny m’u afrua dhe më komplimentoi. Më tha se nuk e priste kurrë që unë të godisja nga ai pozicion”, përfundoi Jasir Asani.
(BalkanWeb)