Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

“Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, deklaroi Kos.

Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.

/ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb