Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimet për rritjen e pagave në sektorin publik.
Kjo u bë e ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete, në komunikimin me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ministri informoi se me miratimin e vendimeve të sotme avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.
Ministri theksoi faktin se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.
“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh z. Mete.

Nga politika e rritjes së pagave, vijoi më tej Ministri Mete, do të përfitojnë: punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; punonjësit e sistemit shëndetësor; punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi); si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Nga ana tjetër, Ministri Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: