Ministrja e parë e Skocisë Nicola Sturgeon ka kritikuar kryeministrin e Britanisë së Madhe Boris Johnson se po nxit një Brexit pa marrëveshje pavarësisht deklaratave të tij se do të deshironte një marreveshje me krerët e Bashkimit Europian. Pas takimit që ajo pati me kreun e qeverisë britanike në Edinburg, Sturgeon deklaroi se Johnson po ndiqte një stategji të rrezikshme të vijës së ashpër me krerët e BE që mund të çojë drejt një Brexit pa marrëveshje.

“Kjo është një qeveri e rrezikshme. Rruga që po ndjek është e rrezikshme, për Skocinë por për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ai thotë se dëshiron një marrëveshje me BE, por nuk ka asnjë qartësi se si ai mendon ra beje kete, kur aktualisht ai po ndjek një vijë të ashpër. Kjo është e rrezikshme për Skocinë dhe për të gjithë Britaninë e Madhe. Stategjia e zotit Johnson për të rinegociuar një marrëveshje të re me BE ka për të dështuar”.

Zonja Sturgeon tha gjithashtu se çfarëdo që të ndodhë mbi Brexit do të ketë ndikim në vendimin për kohën e një referendumi të dytë për pavarësinë e Skocise. Ajo shtoi se nuk ishte demokratike të bllokosh të drejtën e njerëzve të Skocisë për të zgjedhur.

Një ditë më parë Johnson u prit me fishkëllima nga protestuesit skoceze pro pavarësisë dhe anti Brexit dhe sipas The Guardian ai u detyrua të dalë nga dera e pasme e ndërtesës së qeverisë lokale të drejtuar nga Sturgeon.

Ndërsa Britania e Madhe votoi në shumicë për të larguar nga Bashkimi Europian gjatë referendumit të vitit 2016, Skocia votoi për të qëndruar brenda Unionit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb