* Kryeministri Aleksis Cipras ka përqafuar të gjitha masat e kursimit që dikur ai i kritikoi

NGA Kostas Lapavitsas*
Kur ka mbushur një vit në pushtet, partia e Syriza-s po zbaton me besnikëri politikat shtrënguese, të cilat dikur i denonconte. Ajo spastroi radhët e saj nga fraksioni i majtë, ndërsa Cipras e zhduku radikalizmin e tij për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Greqia është e dëshpëruar. Pse e gjitha përfundoi në këtë mënyrë?

Një mit urban, i propaganduar në disa media, sugjeron se radikalët u ndaluan nga një grusht shteti i përgatitur nga politikanët konservatorë dhe zyrtarët e BE-së, të vendosur për të eliminuar rrezikun e kontaminimit. Syriza u suprimua nga monstrat e neoliberalizmit dhe privilegjit.

Megjithatë, ajo zhvilloi luftën e mirë, dhe ndoshta mbolli farën e rebelimit. Realiteti është shumë ndryshe. Një vit më pare, udhëheqja e Syriza-s qe e bindur se në rast se do të refuzonin një paketë të re shpëtimi, huadhënësit europianë do të detyroheshin ta bënin këtë përballë rrezikut të trazirave financiare dhe politike. Rreziqet në eurozonë ishin, supozuan ata, më të mëdha sesa ato në Greqi.

Nëse Syriza-s negocionte fort, asaj do t’i ofrohej një “kompromis i ndershëm” i lehtësimit të masave shtrënguese dhe reduktimit të borxhit kombëtar. Organizatori i kësaj strategjie ishte Varufakis, por ajo u miratua zellshëm nga Cipras dhe shumica e udhëheqjes së Syriza-s. Kritikët dashamirës theksuan në mënyrë të përsëritur, se eurozona kishte një grup të ngurtë institucionesh, me logjikën e tyre të brendshme, që thjesht do të refuzonin kërkesat për të braktisur masat shtrënguese dhe rishikuar borxhin.

Për më tepër, Banka Qëndrore Evropiane, ishte e gatshme të kufizonte dhënien e likuiditetit ndaj bankave greke, duke e asfiksuar ekonominë – dhe bashkë me të edhe qeverinë e Syriza-s. Greqia nuk mund të negocionte në mënyrë efektive pa një plan alternativ, duke përfshirë mundësinë e daljes nga bashkimi monetar, në kushtet kur krijimi i likuiditetit të saj ishte e vetmja mënyrë për të shmangur morsën e BQE-së.

Natyrisht, kjo do të ishte aspak e lehtë, por të paktën do të kishte ofruar mundësinë e rezistencës përballë stetegjisë katastrofike të paketave të shpëtimit nga ana e huadhënësve. Mjerisht, udhëheqja e Syriza-s nuk do të kishte asnjërën prej tyre. Përgjigja nga politikanët të BE-së ndaj Syriza ishte arroganca, frustrimi dhe përshkallëzimi i armiqësive. Natyra shkatërruese e strategjisë së Syriza u bë e qartë që në 20 shkurt 2015. Politikanët evropianë, e detyruan qeverinë e re greke të bjerë dakord për të synuar sufiçite buxhetore, të zbatojë “reformat”, përmbushë të gjitha detyrimet ndaj borxhit dhe heqë dorë nga përdorimi i fondeve ekzistuese të ndihmës për çfarëdo qëllimi, përveç mbështetjes së bankave.

BE-ja e mbylli me qetësi rubinetin e parave në Bankën Qendrore Evropiane, dhe nuk pranoi të japë asnjë qindarkë mbështetje financiare shtesë, derisa Greqia të përmbushte kushtet e vendosura. Ndërkohë kushtet në vend u bënë gjithnjë e më të dëshpëruara, pasi qeveria preku likuditetin rezervë, bankat mbetën thatë, dhe ekonomia mezi po mbahej në këmbë. Deri në qershorin shkuar, Greqia u detyrua të vendosë kontrollet ndaj kapitalit dhe të deklarojë pezullimin e përkohshëm të shërbimit bankar.

Syriza tentoi një hedhë zarat e fundit në korrik, kur Cipras thirri një referendum për një paketë të re dhe të ashpër shpëtimi. Çuditërisht, dhe me një trimëri të konsiderueshme, 62 përqind e grekëve votuan kundër. Cipras kishte bërë fushatë për këtë verdikt, por kur rezultati u faktua ai e kuptoi se në praktikë kjo do të thoshte dalje nga eurozona, për të cilën qeveria e tij nuk kishte bërë asnjë përgatitje serioze.

Sigurisht pati disa skica në formë planesh, për një monedhë apo një sistem bankar paralel, por ide të tilla amatoreske qenë të padobishme vetëm një minutë pas mesnate. Për më tepër, populli grek nuk qe i përgatitur, dhe Syriza mezi funksiononte si një parti politike në terren. Mbi të gjitha, Cipras dhe rrethi i tij u angazhuan personalisht ndaj euros. I përballur me rezultatet katastrofike të strategjisë së tij, ai u dorëzua duke shkuar kokëulur para huadhënësve.

Që atëherë ai ka adoptuar një politikë të ashpër të sufiçiteve buxhetore, ngriti taksat dhe ia shiti bankat greke fondacioneve spekulative, aeroportet dhe portet u privatizuan, dhe tashmë është gati të ulë sërish pensionet.

Paketa e re e shpëtimit, e ka dënuar një Greqi të zhytur në një rënie ekonomike afatgjatë me një perspektivë rritjeje të mjerë, me rininë e arsimuar që po emigron dhe borxhi kombëtar që peshon shumë. Syriza është shembulli i parë i një qeverie të majtë, që nuk ka dështuar vetëm në përmbushjen e premtimeve të saj, por ndërkohë zbatoi të gjithë programin e opozitës.

Dështimi i saj ka forcuar perceptimin në të gjithë Evropën, se kursimi është e vetmja mënyrë dhe asgjë nuk mund të ndryshojë ndonjëherë. Pasojat janë të rënda për disa vende, duke përfshirë Spanjën, ku Podemos-i është duke trokitur në derën e pushtetit. Syriza dështoi jo pse masat e kursimit janë diçka e pathyeshme, as për shkak se ndryshimi radikal është i pamundur, por për shkak se në mënyrë katastrofike, ajo nuk ishte e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur në një sfidë të drejtpërdrejtë me euron.

Ndryshimi radikal dhe braktisja e masave shtrënguese në Evropë, kërkon një konfrontim të drejtpërdrejtë me vetë bashkimin monetar. Për vendet e vogla kjo nënkupton përgatitjen për të dalë nga eurozona, ndërsa për vendet kryesore pranimin e ndryshimeve vendimtare për marrëveshjet monetare jofunksionale. Kjo është detyra para së majtës evropiane dhe i vetmi mësim pozitiv nga përmbysja e Syriza-s.
/“The Guardian” – Në shqip nga Bota.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: