Nga: JETON SELIMI*
Fillimi i javës së ardhshme do të shënojë vendimin përfundimtar në lidhje me të ardhmen bardheblu të tre futbollistëve me të cilët drejtuesit e Tiranës prej më shumë se një jave janë në tratativa. Kështu, i pari në radhë për të zgjidhur rinovimin ose jo me 24 herë kampionët është pikërisht mbrojtësi nga Kosova, Debatik Curri. Këtij të fundit i është bërë e ditur nga drejtuesit e Tiranës në takimet dhe bisedat e kryera se do të pëlqenin ta kishin, por ndaj një pagese shumë herë më të ulët se sezonin e kaluar. Një kërkesë ndaj së cilës Curri mësohet të ketë reaguar duke u ofruar bardhebluve një “pazar” shumë më të reduktuar se një vit më parë. Ofertës së Currit, drejtuesit e Tiranës pritet t’i përgjigjen pikërisht nesër. Shumë i limituar në aktivitetin e tij në rrjetet sociale, si për t’u kujtuar të gjithëve nivelet e larta në të cilat është aktivizuar, Curri ka postuar dje në profilin e tij në “Facebook” një foto nga sezoni 2011-2012, kur aktivizohej në kampionatin turk. “Pazar” i ndërlikuar dhe që do të zgjidhet këtë fillim jave është edhe ai i bardhebluve me “ish-in” Gilman Lika. Shkodrani, duke përfituar nga cilësitë e tij të larta, njëherësh edhe nga dëshira dhe nevoja e Tiranës për ta bërë atë pjesë të bardhebluve, ka shansin më të mirë jo vetëm për të përfituar një kontratë të lartë, por njëherësh edhe për të marrë detyrimet e papaguara nga ana e 24 herë kampionëve.
Është pikërisht diskutimi mbi këtë shumë të mbartur që ka ndërlikuar këtë transaksion. Nëse Lika do të pranojë të mos e marrë të plotë shumën e parave që i detyrohet Tirana, si dhe nëse kjo e fundit pranon të likuidojë me para në dorë këtë detyrim, atëherë rikthimi i shkodranit është një fakt i sigurt. Më e thjeshtë duket çështja e rikthimit të mbrojtësit Erion Dushku te skuadra e Tiranës, ndonëse edhe në këtë rast ka një pengesë për realizimin e këtij transaksioni të merkatos bardheblu. Për të vendosur përfundimisht mbi rekrutimin ose jo të Dushkut, drejtuesit e Tiranës do të duhet të vendosin më parë për çështjen “Curri” e gjithashtu për mbrojtësin bullgar që do të nisë provën me bardheblutë.
Listës së përforcimeve të mundshme bardheblu në këtë merkato vere, drejtuesit e Tiranës i kanë shtuar edhe një tjetër kandidat, kësaj here nga jashtë Shqipërisë. Ndonëse gjeneralitetet e futbollistit nuk bëhen të ditura, është e sigurt që për qendrën e mbrojtjes së 24 herë kampionëve ka një konkurrent më shumë që vjen nga Bullgaria në një moshë të re dhe me një kosto që duket e përballueshme nga bardheblutë.
Futbollisti bullgar, i mbërritur që dje në Tiranë, pritet të jetë nesër i pranishëm në kompleksin “Skënder Halili”, për t’u vënë në urdhrat dhe testimin e trajnerit Shkëlqim Muça, i cili gjatë provës disaditore, bashkë me drejtorin sportiv Devi Muka do të vendosë në lidhje me të ardhmen e lojtarit. Më shumë se pjesa financiare, ajo që dyzon bardheblutë në lidhje me afrimin e bullgarit është pikërisht roli i tij në qendër të mbrojtjes dhe alternativat e shumta të Tiranës në atë pozicion.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: