Nisma e një grupi intelektualësh me fokus dekomunistizimin e shoqërisë është jo pak befasuese. Dhe surprizuese! Jo sepse nismës, të paktën nga ato që shkruhen në shtyp, i mungojnë elementët…

Nisma ka vullnetin për të ndaluar me ligj simbolet e diktaturës dhe të portreteve të ish-udhëheqësve të saj, durimin për të qëmtuar e “sigluar” të gjitha veprat e artit të krijuara në diktaturë, si dhe këmbënguljen për të ndaluar ato vepra intelektuale apo artistike, të cilat përcjellin propagandë komuniste.

Por nisma është befasuese dhe surprizuese njëkohësisht, së pari, sepse është njëzet e shtatë vjet me vonesë! Në këta njëzet e shtatë vjet, në Shqipëri, është folur shumë, por është bërë shumë pak nga pikëpamja institucionale për të denoncuar të kaluarën komuniste në të gjitha dimensionet! Për të nxjerrë jashtë skenës politike të gjithë ata që udhëhoqën ndërtimin dhe fortifikimin e diktaturës.

Për të ecur me shembullin e vendeve të tjera të Europës Lindore që i filluan dhe i mbyllën procese të tilla brenda dhjetëvjeçarit të parë të rrëzimit të komunizmit. Në vendin tonë, ku më shumë se viktimat janë nderuar persekutorët dhe ligji për lustracionin nuk mori kurrë miratimin e parlamentit, nisma për dekomunistizimin sot të lë shijen e kafes që të shërbehet e ftohur. Është ndjellëse si ide që ke kafen përpara, por nuk pihet, sepse nuk shijon!

E lë në tavolinë dhe, që të mos bësh sherr me kamerierin, paguan koston. Fokusi i nismës është vërtet trashëgimia negative e sistemit komunist, por është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se sistemi që lamë pas ka pasur edhe anët e tij pozitive, të ngjashme me ato të shumë vendeve të tjera të Europës Lindore.

Deri në vitin 1944, kur vijnë në fuqi komunistët, Shqipëria ishte një vend krejtësisht agrar dhe i prapambetur, por falë punës dhe kontributeve të një populli të tërë, që pavarësisht motiveve dhe arsyeve si u vu në lëvizje, kemi një zhvillim të madh ekonomik të vendit, rritjen e nivelit arsimor të popullatës, pjesë e së cilës ishte edhe zhdukja e analfabetizmit, urbanizimin e vendit, emancipimin e gruas dhe rritjen e rolit të grupeve minoritare; ngrihen fabrika dhe shkenca ecën përpara, kemi universitete dhe akademi; kemi shkrimtarë dhe libra, teatër dhe drama, filma dhe aktorë; funksiononte ushtria, ndërsa mjekësia dhe arsimi falas nuk ishin as dogmë, as propagandë, por fakt e realitet.

Është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se këto arritje kanë pasur edhe anën e tyre negative, për shembull, rritja e nivelit të edukimit u shoqërua me cungimin e përmbajtjes, cilësia shumë e mirë e filmave me idealizimin e “ëmbëlsimin” sistemit, futja e gruas në forcën e punës me shtimin e barrës së punëve në familje, zhvillimi ekonomik i vendit me zhdukjen e pronës private, sikundër që të gjitha arritjet bëheshin jo në emër dhe funksion të individit, por të objektivave që vendoste Partia.

Dhe është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se kjo është një trashëgimi, të cilën duam a nuk duam, na pëlqen a jo, e kemi mes nesh. Veprat intelektuale apo artistike që u prodhuan gjatë kohës së diktaturës e që vazhdojmë t’i shohim, në mos me emocion, me kuriozitet, janë copëza të një të tëre që u krijuan për 50 vjet dhe nuk mund të zhbëhen. As të ndalohen. Është njësoj si t’i thuash një “të sëmuri me diabet” mos ha ëmbëlsira! Në fakt i ha, por rrezikun e tyre e kompenson me insulinë. Insulina në këtë rast nuk është de-komunistizimi me ligje!

E kaluara përbën trashëgiminë tonë, trashëgiminë e një populli të tërë, por që për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbardhur me sinqeritet dhe mbi bazën e objektivave të caktuara është shndërruar në një lloj pengese që po vështirëson ecjen përpara, ashtu e lënë në mes të rrugës, pa shenjat e duhura orientuese se si duhet të sillemi me të, pa manualin e saktë se si mund të kalohet. Njëzet e shtatë vjet më vonë kemi nevojë jo ta shpallim si herezi, por ta gjykojmë mbi bazën e një sistemi të ri vlerash, me sisteme të ndryshme referimi qëndrimi e përmbajtjeje, me objektivin për t’i treguar brezit të ri se çfarë do të thotë të jetosh në totalitarizëm.

Të paktën për hir të kostos së rëndë që po paguajmë duke jetuar në tranzicionin e ndërtimit të një sistemi të ri! Të mos harrojmë që rrëzimi i diktaturës u shoqërua me një varg fenomenesh që për një pjesë të madhe të popullsisë ishin të panjohura deri në vitet 1990: kemi rritjen e krimit dhe të ndasive sociale, mungesë stabiliteti dhe papunësi, arsim dhe mjekësi të papërshtatshme për një pjesë të mirë të popullsisë, punë të pasigurt dhe rropatje për të gjetur banim, shtuar notat e nostalgjisë me kalimin e viteve. Të gjitha bashkë dhe secila veç e veç mjaftojnë për të rivlerësuar të kaluarën dhe për të reaguar ndaj saj mbi bazën e interesave shumë të ngushta, nga një popullsi që ndjenjat dhe emocionet, kujtimet dhe adresimet e kësaj të kaluare i shtrihen në një segment shumë të gjerë, me vlera pozitive e negative.

Nisma është befasuese dhe surprizuese njëkohësisht, së dyti, sepse nisma e këtij grupi intelektualësh që kërkon ndalimin e transmetimit të filmave apo mosbotimin e veprave të caktuara revokon veprime dhe akte që janë të
denja vetëm për vende totalitare. Në Gjermaninë naziste, në vitin 1929, u ndalua libri i Remarkut “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, me arsyen që fyente regjimin në fuqi, në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1944 u ndalua libri i Xhorxh Oruell “Ferma e Kafshëve”, ndërsa në Arabinë Saudite edhe sot ndalohet shpërndarja dhe leximi i Biblës.

Në rastin tonë, duket sikur nisma ka dalë nga raftet e Arkivit të Shtetit Shqiptar për periudhën e pushtimit italian. Nicola Lo Russo Attoma, Drejtor i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit, gjatë periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë, kishte detyrë të evidentonte dhe të ndalonte hyrjen në vend, nxjerrjen jashtë qarkullimit, ose heqjen nga salla e leximit të bibliotekave private dhe shtetërore të të gjithë librave, me natyrë filozofike, sociale a politike, që flisnin kundër sistemit.

Vetëm gjatë periudhës 27 janar 1940 – 20 dhjetor 1940, Attoma i ka dërguar plot 16 shkresa Ministrit të Arsimit të kohës, z. Ernest Koliqi, nëpërmjet të cilave i komunikonte titujt e librave të ndaluar, ndërsa numri i titujve të ndaluar, për të njëjtën periudhë, në total është 79. Në çdo shkresë të dërguar, numri i librave të ndaluar luhatet: nga një titull, si për shembull në shkresën e dt. 1 maj 1940, nëpërmjet së cilës ndalohet vetëm libri me titull “A peace front and the axes power”, në pesëmbëdhjetë tituj, në shkresën e dt. 21 mars 1940, nga mund të veçojmë shpalljen si të padëshiruara të veprës së autorit Riccardo Bachi (botim i vitit 1926) me titull “L’alimentazione e la politica annonaria in Italia”, si dhe veprën e autorit Giorgio Mortara (botim i vitit 1925, me titull “La salute pubblica in Italia durante e dopo la gurra”.

Së fundmi, vetë nisma mban erë “MekKartianizëm”. Për të gjithë ata që nuk janë familjarë me politikën amerikane, në fillim vitet 1950, instalimi i sistemit komunist në vende të ndryshme të botës trembi shumë amerikanë, veçanërisht kur Bashkimi Sovjetik doli si një superfuqi bërthamore. Histeria amerikane antikomuniste gjeti rrugën e hyrjes në politikë falë senatorit të Uiskonsinit, Jozef MekKarti, një demagog në kërkim të vëmendjes, i cili arriti të shndërrohet në krye lajm për të gjitha mediet amerikane kur më 9 shkurt 1950 deklaroi: “Kam në dorë një listë me 205 emra komunistësh, që i janë bërë të njohur edhe Sekretarit të Shtetit, por që përsëri vazhdojnë të punojnë dhe formësojnë politikat e Departamentit të Shtetit”.

Por sekretari mohoi lajmin, lista nuk u publikua asnjëherë, ndërsa vetë burimi, i entuziazmuar pafund nga vëmendja që mori mbijetoi në politikën amerikane pak kohë, sepse u braktis nga të gjithë. Së fundmi, Senati votoi t’i censurojë fjalën, gjë që praktikisht shënoi edhe fundin e karrierës së MekKartit. Kishte shkelur çdo normë besueshmërie.

Në Shqipëri ka ardhur koha të flasim për periudhën e komunizmit si pjesë të historisë sonë. Të përpiqemi t’ia tregojmë e kalojmë brezit të ri të vërtetat rreth socializmit jo me ligje dhe me dekrete, por me aktivitete, filma, libra, portrete, simbole e drama, pak a shumë atë që bëri diktatura për veten e saj, por tani ta bëjmë ne për veten tonë.

E bën dot kjo nismë? A është në gjendje nisma ta çojë të kaluarën tonë në sallat e muzeve? A është në gjendje nisma të na nxisë të tregojmë sa më shumë ngjarje të vogla dhe të mëdha, të bukura dhe të shëmtuara, të hidhura dhe të ëmbla nga e kaluara jonë në diktaturë? A është në gjendje nisma të na nxisë ta shpjegojmë të kaluarën jo si një hon ku kemi groposur 50 vjet punë e përpjekje, por si një urë që duhet t’i forcojmë këmbët, përndryshe do kemi tragjedi të ngjashme me atë të Xhenovas, vetëm se në këtë rast viktimë do të ishte i gjithë populli. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb