“BalkanWeb” ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“BalkanWeb” sjell një tjetër pjesë të rëndësishme të kësaj dosjeje, në të cilën publikohen biseda të reja mes kreut të bandës së “Habilajve”, Moisi Habilaj, dhe Sabaudin Çelajt, në makinën e të cilit u kap një sasi e madhe kanabisi në Katania, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Përveç përgjimeve, Prokuroria jep edhe arsyet, pse sipas saj, ish-ministri Tahiri është i lidhur me bandën e Habilajve.

“Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se i pandehuri Saimir Tahiri ka dalë nga territori i Shqipërisë më datë 29.08.2014, nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë, me mjetin me aarga AA 003 GB dhe ka hyrë në Shqipëri më datë 30.08.2014, nga e njëjta pikë kalimi kufitar dhe me të njëjtin mjet. I pandehuri Moisi Habilaj ka dalë nga territori i Shqipërisë me mjetin me targa AA 003 GB, më datat 08.11.2013, 24.12.2014 dhe 23.02.2014, ndërsa shtetasi Artan Habilaj ka dalje më të shpeshta, duke filluar nga datat 13.06.2014 deri në datë 17.08.2015. në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj kanë udhëtuar për në Siçili me automjetin “Audi”, me targa AA 003 GB.

Nga analiza e provave, provohet se i pandehuri Saimir Tahiri mjetin e tij, të markës Audi me targa AA 003 GB, në të vërtetë ia ka shitur të pandehurit Moisi Habilaj, i cili , siç rezulton nga aktet e sipërpërmendura, ka udhëtuar menjëherë pas blerjes së këtij mjeti në drejtin të Italisë.

Po kështu, me këtë mjet ka udhëtuar dhe disa herë të tjera, ku në një rast, si ai i datës 24.02.2014, ka udhëtuar tri ditë para se të sekuestrohej nga autoritetet italiane sasia prej 289.7 kg lëndë kanabis sativa. Gjithashtu, konstatohen disa lëvizje të të pandehurit Saimir Tahiri në automjetin Audi AA 003 GB, në një rast bashkëshortja e tij, dhe pas shitjes së automjetit.

Nga ana tjetër, rezulton nga kjo analizë se ky automjet i është lënë vëllezërve “Habilaj”, me targa të njohura “publikisht si qeveritare”, rrethanë kjo që e ka vënë të pandehurin Moisi Habilaj nën “mburojën” e lëvizjes së lirë dhe pa kontrolle gjatë periudhës, që grupi i strukturuar i drejtuar nga i pandehuri Moisi Habilaj ishte në kulmin e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe të angazhimit si “mburojë” të kultivuesve të saj”, thuhet në pretencën e Prokurorisë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Përgjimet në makinën Fiat Panda, targa EM734ËR, në përdorim nga Moisi Habilaj, ora 13:22, i datës 03.03.2014. Makina në lëvizje, në bord Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, i quajtur “Sabi”. Në sfondë ka muzikë.

Biseda në orën 13:25:
Sabi: Jemi mirë … nuk jemi keq … zgjidhim ndonjë problem … çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit … ta hajë dreqi!
Moisiu: Ç’a po më thua?
Sabi: Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit?
Moisiu: Pa mendo … përveç borxheve që kemi … përveç borxheve që kemi marrë … kemi 75 mijë lekë (75.000 euro), që shkojnë automatikisht për … 30 për “xhaxhain” … 30 duhet t’ia çoj “Saimirit” … bëjnë 60 … dhe 15 janë për anijen … që na duhen patjetër … janë 75 mijë lekë … plus 100 që janë … 72 janë të atij nga Fieri … 20 të Arsenit … 170 mijë lekë”.

Biseda në orën 13:28
Sabi: T’i heqim edhe këto të shtetit që kemi … dhe pjesa e mbetur …”

Më tej, Prokuroria sqaron në dosje se nga përgjimet rezulton që Saimir Tahiri të ketë përfituar bizhuteri të shtrenjta, si dhe të ketë pas lidhje me Moisi Habilajn, të cilin e mbronte. Prokuroria zbulon dhe emrin e oficeres së policisë, e cila ka udhëtuar disa herë me Habilajt drejt Italisë dhe që flet për një marrëdhënie të ngushtë mes këtij të fundit dhe Tahirit.

“Në funksion të konfirmimit për dhurata të përfituara nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në formën e bizhuterive të shtrenjta, rezulton deklarimi i shtetasit italian, Donin Alessio Aroldo, administrator i vetëm i “Donini Jeëlleri s.r.i”, dhënë më datë 23.11.2017, para oficerit të policisë gjyqësore, i administruar tek aktet e marra në ekzekutim të Letërporosisë Nr.176/2 Prot, datë 07.11.2017, dërguar autoriteteve italiane të Drejtësisë. Sipas deklarimit “Donin mbante mend shitjen e dy byzylykëve në shumën rreth 5000 euro, në dhjetorin e vitit 2013…

Gjithashtu, rezulton deklarimi i shtetasit Antonino Riela, dhënë më datë 24.01.2018, si person nën hetim, i pyetur nga autoritetet italiane, i cili krahas dijenisë për bizhuteritë e blera nga i pandehuri Moisi Habilaj, kishte dijeni dhe për mbështetjen e siguruar nga ky i fundit tek një person i rëndësishëm në Shqipëri, si dhe për faktin e kryerjes së trafikimit me peshkarexhë në vitin 2015.

Nga deklarimi i shtetases Brunilda Alikaj, punonjëse e policisë në Drejtorinë e Policisë Vendore Vlorë, rezulton se kjo shtetase ka udhëtuar disa herë në Itali, në shoqërinë e të pandehurit Moisi Habilaj dhe konkretisht në zonën e Katanias, ku ka takuar edhe shtetasin Anxhelo Buzaka.

Në deklarimin e saj, kjo shtetase ka sqaruar se e ka pyetur të pandehurin Moisi Habilaj për marrëdhëniet që kishte ai me të pandehurin Saimir Tahiri, ku ai në një rast i kishte thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, por sipas saj, Moisiu acarohej po ta pyeste shpesh, pasi kishte frikë se mos pyetjet bëheshin me tendencë apo për t’i marrë ndonjë informacion”, thuhet më tej në pretencën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb