Nga Eda Derhemi*
Dikush kish postuar në Facebook “Mërgimin e lejlekut” të Kadaresë përkthyer në anglisht. Nuk e njoh tregimin në shqip, dhe nuk e kërkova. Kur më zuri syri këtë dhe emrin e Lasgushit, thashë, do lexoj Kadarenë në gjuhë të huaj. Unë i kam keq punët me përkthimin: më bezdis, më frikëson, më çmend përkthimi; nuk di nga t’ia mbaj, dyshoj për çdo fjalë e shprehje pa dyshuar hiç tek përkthyesi! Dhe kështu ndodhi që instinktivisht iu turra një përkthimi të autorit me të cilin u rrita; pra, jo në shqip Kadarenë kësaj radhe! Në anglisht!

Jam gjuhësisht e tendosur kur lexoj anglisht lejlekun poetik që na lë, të Kadaresë. Vazhdimisht analizoj se si e konceptojnë të huajt një rrethanë normale Tirane p.sh. “pimë një kafe?”, apo liqenin e Pogradecit; si e kuptojnë ata që e lexojnë këtë tregim në gjuhën e vet, por me eksperiencë zero Shqipërie e socializmi, një fjalë me thellësi ndërtekstuale, apo një situatë ku ideologjia është e mbarsur emocionalisht? Nga ana tjetër, u turrem fjalëve si një lexues skizofrenik: një pjesë e imja lexon në anglisht, tjetra përkthen në shqip dhe ndihet thellësisht e pakënaqur, sepse gjithçka i shfaqet shumëformëshe. Çdo fjalë e lexuar ka disa mundësi dhe dhimbja e mosdijes së asaj origjinales shtrëngon. Por po e shijoj deri në fund.

“Duke ecur tek Rruga e Pishës…” nis tregimi. Për mua sakaq situatën e ka nën kontroll subteksti. Rruga e Pishës më zhyt në një det kujtimesh, dhe më sjell esëll fare ndjesinë e vrapit të mëngjesit për në mësim, nga rruga “Qemal Stafa” tek filologjiku, që sigurisht priste shkurt nga “Rruga e Pishës”. Për ca nga ne Rruga e Pishës ka erë, dhe zë, dhe frymë; është një hartë mijëratekstuale me thellësi të ndryshme sipas eksperiencave. Çfarë i thotë një amerikani “Rruga e Pishës”? Nuk i flet hiç për ata që e shkelën apo lidhjet e saj me Tiranën: as për Tufinsit, Delit, Demnert, Bodinakt, Dërhemt, Kacelt, e Kërçikt rretheqark; as për rrugën Hoxha Tahsim, as për farmacinë, as për kalldrëmet e rrugicave që të çonin aty, ku po të kishe taka duhet të ecje mbi gurët e mëdhenj në mes me marifet akrobatik, që pastaj u mbuluan me asfalt por ku anët e kalldrëmit nën muret anësore u mbetën gjithnjë zbuluar; as për shtëpinë e zysh Gjyles që na ftonte aty çdo 7 mars, as për një çun që në klasë të katërt kur po kaloja aty më thirri fort nga një pallat dhe më tha se më donte për nuse, as për Postën e Sheshin “Avni Rustemi” dhe as për Pazarin e Ri me shegë, fara, hide e caraca, e as për Rrugicën e Shkollës Pedagogjike apo Lanën më tej.

Unë, tregimtarin dhe fakirin dy herë fatkeq që ai takon rastësisht në “Rrugën e Pishës” (edhe vetë përplasjet rastësore mes të njohurish në rrugët e Tiranës para 90-ës kishin një lloj ndjesie që s’e ka asgjë tjetër në kohë e hapësirë) dhe e telendis në atë pikë sa ta bëjë gati protagonist, i shoh dhe i lexoj aq ndryshe nga im shoq që kurrë s’e ka dëgjuar “Rrugën e Pishës”. Por edhe ai di diçka më shumë se anglishtlexuesi tipik: di që tani ia thonë Rr. “Tefta Tashko”, dhe ka ecur në të aq sa ta kujtojë. E pra, që këtu në tri fjalët e para, leximi nis ndryshe. Mund të kish qenë edhe sajesë ky emër rruge, do thoshte dikush. Mund të thuhej njëlloj “tek Rruga e Fikut” apo “e Hurmave”. Por nuk është thënë ashtu, dhe ashtu siç është, krijon një ndarje themelore të leximeve të letërsisë në fjalë mes të huajit (që mund të jetë edhe një adoleshent shqiptar me njohje zero të kohës para 1990-ës) dhe lexuesit lokal.
Në fakt leximi i mangët i “Rrugës së Pishës” është tipik në çdo letërsi të përkthyer. Por ai vetëm pararend në mënyrë të thjeshtuar dy turbullimet e mia më fërgëlluese kur lexoj “Mërgimin e lejlekut”: Lasgushin dhe socializmin shqiptar. Si i kupton jo-shqiptari këto dy shtylla themelore të tregimit, ata që mbajnë të tendosur gjithë pëlhurën e ngjarjeve dhe lëvizjeve aty? Është pikërisht lidhja e këtyre dy fuqive të epërme, njëra e natyrës, poeti, dhe tjetra e ideologjisë së dhunës, socializmi, ajo me të cilën Kadare eksperimenton poetikisht që në fund ta zgjidhë filozofikisht dhe praktikisht lidhjen. Në fund të fundit, dilemat e leximit reduktohen në “kujt ia drejton shkrimtari rrëfimin e vet?” Për kë e shkruan këtë tregim? Tregimi i përkthyer është pa dyshim për jo-shqiptarin ose së paku atë që s’di shqip, sido që potencialisht edhe origjinali në shqip mund të lexohet nga jo-shqiptarë me shqipe të mirë. A i drejtohet ky tregim fare shqiptarit tipik jo fort të ri? Ky lloj shqiptari e njihte mirë Lasgushin, e kish jetuar izolimin allasoj të shkrimtarit dhe faktin që për të qe folur gjithnjë si për një lloj lëngate të bukur, si për dikë që pat vdekur në të gjallë, madje që praktikisht mund të kish vdekur që në kohën e Homerit. Ose nuk flitej fare, por prania i ndihej ama si frymë. E njihte mirë Lasgushin shqiptari tipik, edhe kur analitikisht nuk arrinte dot esencën konkluduese të Kadaresë se edhe pa ndeshje direkte, edhe pas abuzimit total e të hidhur të “munguesit të madh” (the great absentee), prania e poetit mbeti gjithnjë aty, dhe regjimi jopoetik dhe antispontan nuk ia doli kurrë të mposhtë poezinë (njeriun poetik) që i takon rrafshit të zotave dhe thelbit universal të qenies, e që si diell, heq dorë nga të gjallët, dhe zbret me vendimin e vet në mbretërinë e të vdekurve, që të ndëshkojë Zeusin diktator. Instinktivisht shqiptari ia ndiente madhështinë dhe paprekshmërinë poetit, edhe kur nuk e kuptonte konfliktin ekzistencial mes tij dhe regjimit, edhe kur ishte kryekëput adhurues i Enverit dhe ishte larg përpunimit të një ideje të qartë anti-socializëm dhe anti-Enver.

Pra tregimi nuk është as për tufat gjigante të shqiptarëve të të gjitha moshave që qanë a u pezmatuan kur vdiq Enveri, se edhe pa mendje kritike, ata shtjellimin artistik që i bën tregimi raportit poet-diktator e kishin zgjidhur edhe pa ia rrëfyer kurrë vetes. Këtij lloj shqiptari, shkrimtari autobiografik mund të dojë t’i kallëzojë ato që ai vetë mendonte aso kohe kur pjesa pro-enveriste e popullsisë (pra shumica), e mendonte të partishëm dhe besnik të socializmit. Unë vetë, si dhe plot miq të atyre viteve, e kemi menduar gjithnjë Kadarenë si armik të Enverit, dhe e adhuronim për këtë, aq sa edhe për letërsinë që aso kohe na jepte jetë. Por kujt s’e mendonte kështu mënyrën si e shihte Kadare pushtetin në vitet e asaj lëngate të trishtuar, nëpërmjet këtij tregimi ai mund t’i rrëfejë për veten e vet të vërtetë (sido që për çfarë duhet ta bënte këtë?). Ama për Lasgushin nuk i thotë gjë të re. Pra vij prapë në idenë që tregimi është në fakt për të huajin apo për të riun. Por si e lexon i huaji Lasgushin dhe Shqipërinë socialiste?

E pyes tim shoq pasi e ka lexuar të më thotë si e sheh Lasgushin që për të ishte një emër krejt i ri. Më thotë se për të tregimi është si ta ketë shkruar Çehov, një lloj revolte e stilit të tij dhe me karaktere që u ngjajnë po atyre të Çehovit. Më thotë se nuk kish kuptuar deri në fund nëse Lasgushi ishte real apo personazh i sajuar, por referimi që i bëhej vargut të tij në krye të tregimit i jepte besim se duhet të ishte autor real dhe disi i rëndësishëm gjersa Kadare zgjedh tamam atë si “krenari të poezisë shqip”. Im shoq e njeh mirë socializmin shqiptar, me të thënë e me të lexuar. Por pas leximit më duket se s’kupton ende natyrën e vërtetë të poetit. Por ka një ide goxha të mirë për funksionin që poeti ka në këtë tregim. E pyes nëse e sheh lidhjen mes Lasgushit dhe Liqenit apo Pogradecit. Po, më thotë, duket disi, se Kadare përpiqet ta theksojë disa herë këtë lidhje. Kuptohet që as ai as të huaj të tjerë nuk mund të kenë atë pështjellim të ëmbël lidhur direkt me Lasgushin që i jep shqiptarit varianti Poradec apo Liqeri, dhe as mënyra pleqërishte e të thënit “skandal”, shkàndull. E pyes “Po çfarë lloj poezie mendon ti se shkruante Lasgushi, më thuaj p.sh. për çfarë ndoshta fliste ai nëpër poezi”. Im shoq më thotë që s’mund të ketë ide të tilla konkrete prej tregimit, vetëm di që ishte “dielli” apo “guri më i çmuar” i poezisë sonë. Por shton se duket qartë që Kadare përpiqet të dëshmojë ferrin që regjimi krijonte për poetin dhe që, gjithsesi, sipas Kadaresë, nuk ia vrau dot shpirtin. E pyes si e shihte Lasgushin, si dukej, si ecte, si vishej, si doli nga ajo mbledhja që përshkruan Kadare sapo do nisnin diskutimet, si u dukej kalimtarëve që e njihnin dhe atyre që s’e njihnin. Eksperimenti im e bezdis, ndaj e lë të qetë. Thotë që nuk i pëlqen ky eksperiment.

Pastaj rishoh tregimin që më lodh e mundon për mungesën e subtekstit që bartet veç nga fjala shqip. Po ngordh për fjalën shqip. “The great one” më bezdis, sido që e di se s’mund të përkthehej ndryshe. “I madhi” në shqip ishte një eksperiencë që e merrte fuqinë jo nga fjala në vetvete, por nga përdorimi i saj prej gjithfarë shqiptarësh, nga frika e përulja që rrezatonte, aq sa edhe nga adhurimi a urrejtja; këto ndjesi aq sa edhe ndarja e përjetimit të fjalës njëherësh prej gjithë tufës së shqiptarëve nuk mund të jenë dot të pranishëm kur im shoq lexon “the great one” ndaj ai s’ia rrok dot shpirtin fjalës. “Udhwheqja”, “njeriu i ri”, “riedukim në kooperativë” “autokritikë e sinqertë” “duhet të jemi të thjeshtë, si populli”, “mbledhja e kolektivit”, “parulla PUNË EDUKIM VIGJILENCË” (ose vetë fjala “parullë”), “shokët e Sigurimit në Veri”, “Kongresi i 8-të” janë të gjitha lehtësisht të përkthyeshme, por kurrsesi nuk të zbulojnë nëntekstin, ndjesinë reale që kishte fjala e shprehja në kohën reale të tregimit, po të mos jesh shqiptar i atyre viteve. Fëmijëria dhe rinia ime kanë qenë relativisht normale, pa burgosje dhe internime, me pushime të bukura në Jon e në mal çdo verë, por të gjitha shprehjet më lart, ashtu si edhe ndalesat e autobusit për Pogradec nga polici a ushtari për kontroll letërnjoftimesh, më sjellin erën karakteristike të trenit, autobusit, shkollave shqiptare ku i përdornim, më japin ankthin e mbledhjes së kolektivit ku me siguri do dilte dikush që nga frika apo superzelli fanatik do nxirrte ndonjë telash me shfaqje të huaja, kërcim borgjezo-revizionist, gishta me manikyr apo ndjekje mode. Polici apo ushtari që të ndalonin rrugës, apo vinin me armë të të përzinin edhe kur rrije më gjatë se duhet natën në breg të detit në Himarë a liqenit në Pogradec, më bënin gjithnjë të më dridhej zemra e të kisha nevojë të shkoja në banjë. Edhe liqeri që dremit pa kufi, sa herë që e shihja rrugës për në Korçë, më sillte ndërmend çunin e teta Meremes që e dija se ish arratisur me not prej andej, dhe sa herë e shihja kur e parakalonte autobusi apo treni, ia masja “pa-kufishmërinë” si edhe a do kisha takat ta kaloja për t’u hedhur matanë, sado e vagët dhe absurde ideja. Dhe mos-o-Zot të të ndalonte polici tamam kur kishe këto në kokë!

“Lidhja e shkrimtarëve” po ashtu mund të përkthehet formalisht, por çdo ide që ajo mund t’i japë të huajit është pa vlerë pa godinën vetë, pa klubin me pijet tipike dhe fytyrat e atyre që e frekuentonin, pa rrugën për atje, pa ata që i hynin e i dilnin dhe të cilëve ua dije pozicionimet dhe lëvizjet në hierarki e letërsi, pa plenumet e partisë, pa rëniet nga fiku, dhe dërgimet në rrethe e qendra prodhimi për të jetuar me popullin. Kadare flet për “shijen e hidhur” të mbledhjes së shkrimtarëve për dënimin e autorëve liberalë që rrinte pezull në ajrì, dhe unë uroj pa optimizëm që lexuesi i huaj ta shijojë vërtet çfarë qe ajo shija e hidhur. Unë vetë teksa lexoj Kadarenë anglisht, përkthej papushim në shqip, sepse nuk më ngjit në anglisht asnjë nga shprehjet që zë ngoje më lart. Përkthimi mbrapsht që i bëj gjithçkaje ka thellësi të ndryshme, është vazhdimisht shumë shtresësh e jep ndjesi të forta shqisore. Gjithçka në tregim është “dreary”; ndoshta, kjo, fjala e përdorur më shpesh. Çfarë të ketë qenë në origjinal – të ketë qenë e njëjta fjalë shqip apo shtatë fjalë të ndryshme që më vijnë në mendje kur e kërkoj? Kuptoj mirë se si tregimtari ndiente “love” mbushur me “sorrow” për poetin; po pse edhe me “reproach” s’e marr vesh, pse “reproach”, pse “reproach”? Çfarë të ketë qenë në shqip? Mospëlqim? Zhgënjim? Mosaprovim? Asnjë prej tyre s’më duket të ketë kuptim në kontekst. Nuk është punë ky leximi mbrapsht, dhe as ripërjetimi si det i fjalës. Dhe për herë të parë kam zili të huajin që lexon Kadarenë.

Ndoshta i huaji është një lexues rastësor i tregimit, dhe jo ai i synuari prej shkrimtarit. Kadaresë i përkthehet gjithçka, ndaj lexuesi i huaj nuk mund të evitohet. Ndoshta tregimi shkruhet për të rinjtë e sotëm shqiptarë që nuk e dinë motin e Enverit, e që Lasgushin e njohin pak ndërsa socializmin aspak. Ia vlen të japësh një tufë me ndodhi të vogla e më të mëdha për trillet e Enverit dhe socializmit, për ndëshkueshmërinë dhe pandëshkueshmërinë e atyre viteve, për ankthin që varej në ajër sapo guxoje të mendoje jashtë kornize, për fatkeqësinë e madhe të të qëlluarit artist në ato kohë. Të rinjtë i marrin idetë për socializmin të fragmentuara, dhe, edhe ato, herë të deformuara padashje e herë të manipuluara. Letërsia e tregon atë histori më mirë se çfarëdo dëshmitari që vetëtregohet drejtpërdrejt. Mua më tmerron harresa sot e frikës në zemër me të cilën jetohej në socializëm po të ishe fatlum, dhe më bezdis kur shoh njerëz të mençur që e jetuan atë kohë kaluar që sot ia diskutojnë po kaluar anët e mira socializmit (duke nënkuptuar se sigurisht paskësh pasur edhe ca të këqia). Kështu në fakt normalizohet e retushuar një histori e shëmtuar; ajo mbetet e patreguar. Në këtë kuptim, ia shoh të mirën këtij tregimi që dëften marrëdhënien e poetit me diktaturën, konceptuar nga Kadare në 1986 (pra, pak pas vdekjes së Hoxhës) dhe më pas rishkruar dhe mbushur më 1998, kur s’qe më frika nga fjala. Por leximet që i bëhen tregimit prej atyre që në të s’dallojnë kënd veçse tri personazheve rastësore, një poeti, një shkrimtari narrator dhe një diktatori, dhe atyre që shohin në të Lasgushin, Ismailin dhe Enverin, janë të tilla që e kapërcejnë ndryshueshmëritë subjektive normale për çdo vepër arti. Këto lexime janë aq të ndryshme, sa mund të thuhet se burojnë prej dy tregimesh. Ndoshta sasia e ekspozimit të të rinjve ndaj historish të ngjashme do e mbyllte disi këtë shkoqje realitetesh dhe polarizim interpretimesh. Ndoshta lloji i mediumit ka rol. Të jetë filmi p.sh. më efikas si kanal interpretimi? Apo shkrimi parodik? Por dyshimet nëse i dilet të afrohen interpretimet e personit që jetoi socializmin dhe atij që e ka me të dëgjuar, më mbeten, sado të kompensoj për lexuesin që s’e njeh atë mot të panatyrshëm e vështirë të tregueshëm. A do mundej ky lexues i ri, ashtu si i huaji, që në fund fare të përpjekjeve për mbushjen e vrimave të njohjes, të pyeste ashtu si Kadare: a ishte vërtet e nevojshme për të fundmin lejlek të mërgonte duke na lënë pas ne, në mjerim?

“Ikja e shtërgut” është titulli në origjinalin shqip. E lashë “Mërgimi i lejlekut” në shkrimin tim, sepse shërben si tregues më vete për sa i pambrojtur është origjinali në procesin e përkthimit e më pas të ripërkthimit mbrapsht.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: