NGA VALENTINA MADANI*

Jorida Tabaku, një prej deputeteve më aktive të së djathtës, denoncon keqqeverisjen e majtë, që sipas saj po rrënon përditë e më tepër jetesën e shqiptarëve. Zj.Tabaku apelon për rrezikun e stanjacionit ekonomik që vjen prej filozofisë së gabuar duke drejtuar gishtin tek qeveria “Rama” për zhgënjimin që u bëri shqiptarëve për shkak të premtimeve të pambajtura. Deputetja demokrate flet për “GSH” edhe për betejën e re parlamentare, garancia që jep opozita për një qeverisje më të mirë si dhe komenton debatin e fundit mbi mundësitë ose jo të një koalicioni PD-PS.

Zj.Tabaku, pse sot shqiptarët janë më të varfër dhe pse në Shqipëri ka krizë ekonomike?
Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë vërteton shqetësimet që opozita ka ngritur këtu e dy vjet të shkuara. Sipas këtij raporti, konsumi në vend për tremujorin e parë të vitit 2015 ka rënë me 1.2% në krahasim me vjet, vitin e shkuar konsumi gjithashtu ishte rreth 2% më pak se sa viti 2013. Shqiptarët sot po shpenzojnë më pak para dhe besimi konsumator ka rënë.

Me shumë mundësi pjesa tjetër e vitit do të ketë të njëjtin trend, parashikim ky i thjeshtë për t’u bërë duke parë të dhënat e pasqyruara nga INSTAT dhe Ministria e Financave. Më pak të ardhura të mbledhura, më pak eksport dhe thellim të deficitit tregtar e mbi të gjitha, një besim gjithnjë e më i paktë ndaj politikave qeveritare. Aq sa sipas Bankës së Shqipërisë, politikat e saj monetare nuk po marrin përgjigjen e duhur nga një treg që është jashtëzakonisht skeptik ndaj qeverisë dhe ekonomisë së vendit.

Rritja ekonomike është e ulët dhe ka mbetur në vendnumëro (vërtitet diku mes 2% dhe 3%) duke mos qenë katalizatori aq shumë i dëshiruar i kësaj mazhorance dhe duke reflektuar politikat fiskale të gabuara nga kjo qeveri. Pa dyshim që rritja e taksave ka ndikuar drejtpërdrejtë si në jetën ekonomike të biznesit, ashtu edhe në xhepat e konsumatorëve.

Mund të them që kjo është njëra anë e medaljes, duke qenë se në këto dy vjet për fat të keq u rritën një numër taksash dhe tarifash që rëndojnë xhepat e qytetarëve. Shihni fjala vjen taksën e qarkullimit sa u takon karburanteve, si sot një vit më parë çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare filloi të binte, ndërkohë që qeveria rriti taksën e qarkullimit për të dytin vit duke na shndërruar në vendin me çmimin më të lartë të karburantit në rajon. Taksa e qarkullimit (që në dy vjet u rrit me 24 lekë/litër) paguhet e gjitha nga xhepi i qytetarëve. Tarifat e shkollimit gjithashtu janë rritur, çmimi i energjisë elektrike gjithashtu është rritur për shtresat në nevojë dhe qeveria ende nuk ka shpërndarë pagesat subvencionuese për to.

Këto paketa fiskale që testohen çdo vit mbi kurrizin e të varfërve dhe qytetarëve të zakonshëm duan të kompensojnë atë që qeveria nuk realizon dot, formalizimin e ekonomisë. Për pasojë, vendi është futur në një vorbull stanjacioni, i cili nëse nuk ndryshohet kursi, me shumë gjasa do të sjellë rrënimin e plotë për xhepat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Ulja e papunësisë dhe varfërisë do të vijë përmes një beteje për një treg të lirë dhe konkurrues dhe përmes të siguruarit që pagat që duhet të shkojnë për punëtorët të mos shkojnë për taksat e rritura, sepse besojmë se paratë më mirë i investon privati me më shumë investime e punësim se shteti duke rritur taksat.

Opozita në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë alarmin se korrupsioni, taksat e larta dhe kapja e shtetit nga klanet kriminale, janë shkaqet e papunësisë dhe thellimit të varfërisë, por ku konsiston platforma kombëtare e PD-së për daljen nga kriza ekonomike?
Problemi me të ardhurat nuk lindi sot nga hiçi. Në shtator të viti 2013, besoj se edhe ju e mbani mend, kryeministri tregonte barsoleta në takimet e përditshme me doganierët duke u zotuar se nuk do të kishte më doganë që s’do të përmbushte planet.

Drejtoreshat e doganave dhe tatimeve ishin një herë në dy javë në një studio televizive duke folur për risitë e drejtorive të tyre, megjithëse që në atë periudhë kam folur se me këto institucione nuk po veprohet siç duhet. Të dhënat flasin vetë, për 6 muaj të parë të 2015 mosrealizimi është në shifrën alarmante të 160 milionë USD, ndërkohë që muaji korrik theksoi atë që pritej që kjo tendencë do të vazhdojë dhe vetëm në korrik të ardhurat nuk janë realizuar në vlerën 25 milionë USD.

Dëgjova nga kolegë socialistë të shprehen se ka ndryshuar tendenca e ekonomisë se është ridimensionuar dhe ka fokus tregu i brendshëm prandaj ka mosrealizim. Po mos ndoshta kemi më shumë naftë të prodhuar në vend dhe ka ndikuar për të ulur çmimin? Apo kemi më shumë konsum dhe janë rritur të ardhurat nga TVSH? Apo kemi më shumë eksporte? Apo investime të huaja? Asnjë nga këto nuk ka ndodhur! Të mbledhura në një vend, korrupsioni që vjen si pasojë e një shteti që ka në mendje vetëm të gllabërojë, kapja e shtetit nga oligarkë që ndikojnë në jetën politike dhe ekonomike të vendit edhe pa harruar politikën fiskale të rënduar.

Ne besojmë se çlirimi nga barra shumë e rënduar fiskale do të jetë një hap përpara, ndonëse i vogël, për të rikthyer një marrëdhënie normale mes biznesit dhe qeverisë. Ne besojmë tek liria e tregut dhe do të luftojmë kundër çdo iniciative për të krijuar monopole, kjo ka qenë beteja jonë në opozitë dhe do të vazhdojë të jetë edhe nesër në qeveri.

Si mund të garantohet rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës?
Rritja ekonomike mund të garantohet duke siguruar ekzistencën e sipërmarrjeve në një treg të lirë dhe konkurrues, duke zhdukur monopolet. Kjo do të vijë përmes uljes së taksave, që si pasojë do të sjellë rritjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies.

Jo më larg se disa javë më parë FMN nxori një studim, në të cilin pranonte se taksa e sheshtë prej 10% kishte sjellë një zhvillim ekonomik në Shqipëri gjatë viteve të implementimit të saj. Me shumë mundësi, nëse kjo taksë do të vazhdonte të aplikohej dhe nëse administrata tatimore dhe doganore do të përmirësoheshin gjatë këtyre dy viteve, gjendja ekonomike e vendit nuk do të ishte aty ku është sot.

Nuk mund të lë pa përmendur rastin e kompanisë “Geox”, e cila erdhi në Shqipëri si një vend më pranë Italisë, për të ndërtuar fabrikën e saj të punimit të këpucëve. Mirëpo u largua në drejtim të Serbisë, sepse atje jo vetëm që gjeti taksa dhe tarifa më të ulëta, por shteti i mundësoi asaj një sërë subvencionesh të tjera. Kështu, Serbia do të përfitojë nga krijimi i kësaj fabrike që do të punësojë minimalisht 10 mijë punonjës dhe nga krahu tjetër do të sigurojë prodhimin e kësaj marke dhe eksportin e saj. Ndërkohë që ne nuk mundëm të fitonim nga kjo!

PD-ja ka denoncuar rritja e borxhit në shifrat alarmante të 74% të GDP dhe rënien drastike të të ardhurave, por pavarësisht denoncimeve të opozitës, qeveria nuk po ndryshon kurs. Për cilat arsye dhe si e parashikoni situatën në këtë drejtim?
Kjo mazhorancë erdhi në pushtet me tezën se borxhi i mazhorancës së shkuar qe aq i madh saqë çdo fëmijë që lindte në vendin tonë kishte një borxh me mbi 3 mijë dollarë, po sot që ky borxh ka shkuar në 74% dhe që me shumë gjasa do të rritet me 0.4% nga rishikimi?! Madje, jo vetëm kaq, por edhe zotimi elektoral se brenda mandatit të parë kjo mazhorancë do ta çonte borxhin publik 60% do të mbetet i parealizuar, duke qenë se në 2017 borxhi publik do të jetë 69.2% e PBB-së, kur parashikohej të ishte 65.7% e PBB-së. Pyetja që kryeministri duhet t’i përgjigjet është: Po sot sa dollarë i duhet një fëmije të paguajë për një borxh që merret jo për ta injektuar në ekonomi, por për të zbukuruar dhe përkëdhelur sedrën e artistit që ka vendosur të jetë kryeministër në kohën e lirë?!

Arsyet e rritjes së borxhit vazhdojnë të jenë të ngjashme me arsyet e dështimit ekonomik, mungesa e vizionit, abuzimet dhe drejtimi. Nëse qeveria nuk lehtëson barrën fiskale dhe nuk çliron tregun nga ndërhyrjet e saj abuzive për t’u dhënë dorë disa bizneseve ndaj të tjerëve, dështimi me të ardhurat do të vazhdojë të jetë një realitet i hidhur.

Si e shihni betejën e qeverisë kundër informalitetit që pritet të nisë në muajin shtator? A mendoni se kjo betejë do të mundësojë përmirësimin e bilancit dhe arkës sa u takon të ardhurave në ekonominë tonë?
Nuk mundet dot një qeveri të kujtohet të luftojë informalitetin në çastin kur e ka mbushur kupën me taksa që ua marrin frymën biznesit. Do të qe e logjikshme sikur kjo betejë të kryhej në fillim të shtatorit 2013, ku taksat ishin të ulëta, por sot kur gjendja ekonomike është e rënduar, abuzimet e administratës tatimore janë të larta (kjo e vërtetuar edhe nga BB dhe FMN, e cila nuk dha këstin e tretë duke u larguar pa një marrëveshje), ku besimi i bizneseve është i ulët dhe ekonomia është në stadin e një stanjacioni ekonomik, kjo betejë bëhet e vështirë.

Gjatë muajit qershor, qeveria nisi një aksion për të zbuluar pikat e karburantit që abuzonin me çmimet dhe si pasojë kjo do të sillte uljen e çmimit të karburantit. E gjithë, kjo skemë qe një film, sepse realiteti sot tregon që asgjë nuk ndodhi dhe ne vazhdojmë të kemi çmimin më të lartë në Ballkan e ndër më të lartët në Evropë.

Përveç denoncimeve, cila do të jetë alternative e opozitës së djathtë për daljen nga kjo situatë?
Juve jeni dëshmitar të përpjekjeve tona për një sërë taksash që kemi dërguar amendamente në parlament, sidomos këto të vendosura në paketën fiskale të këtij viti. Mjafton të kujtoj amendamentin për taksën e qarkullimit dhe të heqjes së TVSH-së, të cilat me cinizëm z. Cani i quajti ofertë elektorale, edhe pse ai e kishte fare të qartë që këto ishin politika në lehtësim të barrës fiskale, që tanimë është tejet absurde. Opozita nuk ka nguruar të ofrojë alternativën e saj edhe kur mazhoranca me dhunën e kartonëve e ka përbuzur atë. Gjithsesi, zgjidhjet janë të pafundme, kështu që përgjatë kësaj kohe ne do të parashtrojmë programin tonë dhe filozofinë tek qytetarët.

Presidenti Nishani ka kthyer në Kuvend ligjin për Arsimin e Lartë, të cilin ju e keni kundërshtuar fort jo vetëm si parti politike, por edhe vetë si deputete dhe si pedagoge. Po në këtë rast cilat janë kundërshtitë tuaja?
Ligji i Arsimit të Lartë është një tjetër dëshmi e kapjes së qeverisë nga disa interesa që gjasme prodhojnë “liberalizimin e tregut”, por që nuk është vetëm se klientelizëm. Historia e këtij ligji është tregues se qeveria jo vetëm që nuk dëgjon zërin e qytetarëve (pedagogëve dhe studentëve në këtë rast) por edhe sa herë i intereson abuzon me të vërtetën.

Fjala vjen, ligji në fjalë nisi si një draft i fshehtë, që pasi u zbulua, u maskua si një projektligj anglo-sakson dhe pas presionit studentor dhe akademik e ndërroi maskën duke na u shitur si një projektligj që është sipas modelit europian e më pas portugez, megjithëse në thelb ai ishte, vazhdon dhe do të mbetet vetëm se një ligj klientelist. Ligj i cili cenon drejtpërdrejtë autonominë universitare duke krijuar disa agjenci që nuk janë vetëm se zgjerime të duarve të kryeministrit.

Ligji parashikon krijimin e disa agjencie që nuk kuptohet nëse janë produkt i Ministrisë së Arsimit, pra janë drejtori apo dikastere, të cilat do të kontrollojnë jetën akademike dhe jo vetëm të Universiteteve Publike apo në rastin tjetër, ato do të jenë jo vetëm kontrolluesit e universiteteve, por edhe përcaktuesit se kush, si dhe në ç ‘mënyrë do të luhet roli i universitetit. Duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën dhe autonominë institucionale, një tjetër shenjë që kryeministri ka probleme për të kuptuar institucionet.

Përveç ndërhyrjes në autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, ligji në fjalë lë si jetime universitetet uublike, të cilave do t’u presë edhe ato pak para që u ka dhënë deri pak më parë, sepse këto para do t’ua shpërndajë universiteteve private. Ky “liberalizëm” që pretendohet nga qeveria, rregullohet përmes Kapitullit XII, i cili është dëshmia e qartë se si funksionon një treg klientelist.

Qeveria pasi e lë në mes të katër rrugëve arsimin publik, e vendos atë në një konkurrencë të pandershme me universitetet private. Po kështu, ligji flet për borxhin studentor duke mos sqaruar apo detajuar, siç bën fjala vjen me panevojshmëri të tjera në ligj, se si do ta marrë studenti kredinë.

Ku do të përqendrohet kryesisht PD-ja gjatë sesionit të ri parlamentar dhe ç’po bëhet me dekriminalizimin e iniciuar nga PD-ja? Sa e kriminalizuar është politika e sotme?
Betejat tona lidhen me projektligjet që i takojnë paketës fiskale dhe rritjes së taksave, ligji për Pronat, ligji për Arsimin e Lartë dhe natyrisht reforma në drejtësi. Pa harruar dhe shqetësimin kryesor të ditës, sa i takon demokracisë, që është beteja për dekriminalizimin e parlamentit dhe të administratës. Aktualisht Partia Demokratike ka një draft të paraqitur duke parashikuar ndryshimet e nevojshme që nesër sallën e demokracisë (së brishtë shqiptare) të mos kemi më të inkriminuar. Gatishmëria e kreut të mazhorancës duket se është e paktë, sjelljet e tij dhe reagimet e tij në lidhje me kandidatët e inkriminuar lënë një shije të hidhur jo vetëm te ndërkombëtarët, por mbi të gjitha edhe për opozitën.

A e shikoni të mundur një koalicion PD-PS qoftë dhe për hir të problemeve madhore të vendit?
E kam ndjekur debatin që ka qenë thjesht mediatik në fakt dhe nuk ka pasur asnjë diskutim të vetëm në PD për këtë çështje. Unë besoj se askush nga ne nuk ka iluzionin dhe dëshirën e të ardhurës në pushtetit për hir të pushtetit, por të një qeverisjeje që do të vijë nga votat e shqiptarëve për politikat tona, për vizionin tonë e për ndryshimet që kemi ne nga maxhoranca e sotme. Nuk mund të shndërrohet diskutimi nëse ia vlen të jesh aleat me luanin apo dhelprën për të fituar pushtetin. Diferencat mes nesh janë shumë të mëdha dhe vështirë se mund të na bashkojnë në një aleancë me këtë qeverisje, si fjala vjen beteja jonë për dekriminalizimin!
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: