TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar sot denoncimet kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta, si të lidhur me skandalin e ryshfetit që ka çuar në arbitrazh qeverinë me OSHEE-në. Deputetja Jorida Tabaku, deklaroi sot se “skandali i ryshfetit të Ilir Metës u thellua dhe mori më shumë erë nga përpjekja e Edi Ramës për ta mbuluar, edhe pse reagimi i Kryeministrit është i thatë, sa për të larë gojën”.

“Me anë të zyrës së tij, Edi Rama u mundua të komunikonte se avokatët e qeverisë në zyrën e arbitrazhit në Vjenë nuk paskan përmendur emrin e Ilir Metës si përfitues të ryshfeteve në shuma të mëdha”, tha ajo.

Tabaku ka sjellë deklaratat e avokatëve të qeverisë shqiptare në dokumentin drejtuar Arbitrazhit.

“Po çfarë kanë deklaruar zyrtarisht në fakt, të zezë mbi të bardhë Oliver Seyd dhe Tim Schreiber, avokatët e qeverisë shqiptare në dokumentin zyrtar drejtuar Arbitrazhit të Vjenës me datë 30 qershor 2015:  Ata janë shprehur si më poshtë:

DIA ka marrë miliona euro nga CEZ në atë kohë, dhe i ka justifikuar këto shuma për ryshfete për zyrtarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve BIRN që botoi këtë skandal ka arritur në konkluzionin se ish-kryeministri që përmendin avokatët e qeverisë, i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion, është Ilir Meta. I gjithë hetimi bazuar edhe në deklaratat e mëparshme të CEZ para autoriteteve shqiptare, çon ashtu siç e kanë pranuar zyrtarisht avokatët e qeverisë shqiptare, tek Ilir Meta”, tha Tabaku.

Deputetja e PD shtoi gjithashtu se BIRN flet edhe për rrethana të tjera, që e lidhin Ilir Metën me DIA-n, “si përshembull vajtjen e tij deri në Pragë në zyrat qendrore të CEZ për të lobuar që DIA, kompania që ka shpërndarë ryshfete, të kontraktohej për mbledhjen e borxheve dhe shërbime të tjera”.

“Dokumente të siguruara nga BIRN, dhe të publikuara në një shkrim të datës 3 qershor 2015, tregojnë se ish-drejtori i përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek ka konfirmuar se Kastriot Ismailaj u rekomandua nga Ilir Meta, i cili u ofrua si garant i marrëveshjes. Këto janë faktet, kjo është e vërteta”, tha ajo.

Në përfundim Tabaku, deklaroi se kjo ngjarje kërkon hetim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe se kjo mund të arrihet vetëm pas dorëheqjes së Metës.

“Të tjerat janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar këtë skandal. Ngjarja është e rëndë dhe kërkon hetim të menjëhershëm e serioz nga Prokurori i Përgjithshëm. Por kjo mund të arrihet vetëm pas dorëheqjes së Ilir Metës nga posti i numrit dy të vendit, dhe dorëzimin e tij para drejtësisë si qytetar i thjeshtë”, theksoi ajo.

Silva Caka
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI), Silva Caka ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetes së PD, Jorida Tabaku duke u shprehur se, opozita është e specializuar në bërjen e autogolave.

“Dhimbje për opozitën dhe pozicionimin humoristik të saj… opozita e specializuar në bërjen e autogolave. Me impresionon besimi i verbër i opozitës te qeveria!!!”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: